Gjykata e Shkupit i cakton 30 ditë arrest ish pjesëtarit të UÇK-së
Gjykata Penale në Shkup i ka caktuar 30 ditë p[paraburgim ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Tomor Morina, i cili u arrestua në vendkalimin kufitar Bllacë në bazë të një fletarresti lëshuar nga gjykata serbe, shkruan gazeta Lajm.
Këtë për Gazetën Lajm e ka konfirmuar edhe avokati i tij mbrojtës, Naser Raufi.
“Gjyata nuk i mori parasysh argumentet tona dhe i caktoi 30 ditë paraburgim ekstradues. Tomori tashmë u dërguar në burgun e Shutkës. Në afat prej 24 orëve ne do të bëjmë ankesë ndaj vendimit të gjykatës, sepse është i padrejtë”, deklaroi Raufi për Gazetën Lajm. Ai apelon te faktorët vendimtarë të mos lejojnë ekstradim të Tomorit në Serbi, sepse një vendim i tillë do të ishte i padrejtë.
Morina është arrestuar të mërkurën (dje), kurse sot është nxjerrë para gjykatës. Vendimin përfundimtar për ekstradim ose mosekstradimin e tij e merr Ministria e drejtësisë. Zëdhënësi i kësaj ministrie Vlladimir Dellov për Gazetën Lajm ka thënë se rasti tek ata do të fillojë të procedohet pasi të merret vendimi zyrtar i gjykatës.
Ndërkohë nga ambasada kosovare në Shkup thonë se po e përcjellin rastin dhe shpresojnë që edhe Tomor Morina do të lirohet, ngjashëm siç janë liruar më herët ish pjesëtarë të UÇK-së të arrestuar në Maqedoni në bazë të fletarresteve serbe./Lajm