Është ftoftë dhe unë e bashkëshortja ime nuk pjekim gështenja? As që më shkon mendja për një gjë të tillë. Besoj se edhe banorët e Lucernit nuk mund ta paramendojnë një veprim të tillë. Gjatë dimrit, standi ynë thjesht i takon pasqyrës së qytetit dhe aroma nga tigani, asaj të atmosferës së qytetit. Shumë gjera ua përkujtojnë kohën kur kanë qenë fëmijë. Atëbotë, ata vinin të shoqëruar dorëpërdore me prindërit e tyre. Sot, ata i kanë pranë pasardhësit e tyre. «Tani mund të fillojë dimri”, na thonë njerëzit, kur në muajin shtator e hapim shtëpizën. Pas kësaj na vizitojnë shumë persona, bile shpeshëherë edhe vetëm për një bisedë. “Si jeni me shëndet? A kishit një ditë të mbarë?”. Ka edhe njerëz që qëndrojnë gjysmë ore, sikurse 90-vjeçarja, e cila na viziton shumë shpesh. Ajo nuk mund të ecë më mirë, por gjatë fillimit të sezonit, ajo gjithnjë na sjellë ëmbëlsira me mollë dhe na thotë : «Më vjen mirë që sërish jeni këtu». Po që se ndonjërin nga klientët e rregullt nuk e shohim për një kohë të gjatë, atëherë e pyes bashkëshorten time, nëse ka dëgjuar gjë për te. Po që se na vizitojnë sërish, ne gëzohemi pa masë. Bile, një i njohur i cili punonte në pjesën e vjetër të qytetit, një ditë filloi të mos vijë më. E mora vesh se ai kishte ndërruar jetë dhe kjo më pikëlloi pa masë.
Para dy vitesh një zotëri më pyeti: “Cili është atraksioni i Lucernit», unë iu përgjigja «ura Kapellbrücke». «Dhe pas saj jeni ju me shtëpizën», m`u përgjigj ai. Ndoshta ai ka të drejtë, por në të vërtetë, jo të gjithë turistët i duan gështenjat. Aziatët, rusët apo amerikanët më së paku. Por, nga ana tjetër, me siguri se rreth njëzet herë në ditë na fotografojnë dhe shumë më shpesh na pyesin për ndonjë informatë. « Please, where is this hotel?». Apo : « …that restaurant? ». Ata pyesin edhe se si mund të shkojnë në Löwendenkmal dhe Museggmauer.
Tashmë tridhjetë vite jam duke shitur gështenja, ndërsa si adoleshent të hollat e kursyera i shpenzoja për t`i blerë ato. Për një ushqim të shëndetshëm mjaftojnë 200 gramë, hiq më shumë. Nga asnjë dimër deri më tani nuk jam ftohur. Për çdo ditë, në mëngjes I konsumoj tre deri në katër gështenja. Dhe po që se në mbrëmje I konsumoj edhe disa copa, atëherë nuk kam nevojë për darkë.
Ishte ky rrëfimi i shqiptarit nga Maqedonia e Veriut, Gëzim Ismaili, të realizuar nga “Schweizer Famillie”, të përshtatur nga Shtegu.com. Çifti shqiptar nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, Gëzim dhe Dashurije Ismaili, me vendbanim në Lucern, janë gjithnjë në shënjestër të banorëve të Lucernit, për gështenja kualitative e të majme.
Është një sezon i veçantë për familjen Ismaili, pasi për Gëzimin viti qëe lam pas ishte jubilar për të, i tridhjeti me radhë në këtë sferë të furnizimit të konsumatorëve me gështenja kualitative.
Qëllimi prioritar i çiftit shqiptar është që konsumatorët e tyre të ndahen sa më të kënaqur me kualitetin e gështenjave të tyre. “Ne pjekim gështenja të mira, gjë të cilën na e dëshmojnë konsumatorët tanë”, thotë Dashurije Ismaili, e cila tashmë tetë vite i është bashkuar Gëzimit në këtë sferë. Bashkëshorti i saj, Gëzim Ismaili gjithashtu thotë: “Shitja e gështenjave është një biznes tradicional. Jemi të lumtur që deri më tani me sukses po e menaxhojmë këtë profesion, Të gjithë konsumatorët janë të kënaqur dhe punën tonë e çmojnë lartë», ka pohuar Gëzimi.



