Fshati Koritë gjallërohet me një bager të dhuruar nga mërgimtarët Ismet Seferi dhe Emin Emini

808 Lexime

Fshati Koritë është një vend malor i cili shtrihet në Malin e Thatë. Ai shtrihet në juglindje të qytetit të Gostivarit në një lartësi mbidetare prej 1 400 metrash.Tipi i fshatit i takon vendbanimit ruralo-malor dhe shtrihet në mes të bjeshkëve të Malit të Thatë.Fshati Koritë kufizohet me këto vende: në anën jugore kufizohet me fshatin Tërnovë, në anën perendimore me fshatin Çajlë, Forinë dhe Çegranin në anën veriore kufizohet me fshatin Gurgunicë dhe Vollkovi, ndërsa në anën lindore kufizohet me fshatrat e Poreçit, si fshatin Bitovë dhe fshatin Vollçe. Fshati Koritë për nga atari sipërfaqsor llogaritet si fshati më i madhi me territor në Komunën e Gostivarit me një sipërfaqe prej 31,7 km². Aty nuk ka kushte për grurë apo misër, por është tokë e përshtatshme për bari, jongje, thekën, tërshërë, elb etj. Shumica e banorëve janë mërgimtarë nëpër Europë, ndërsa Berna dhe Hamburgu dallohen si qytete ku më së shumti janë vendosur mërgimtarët e Koritës.

Për të lehtësuar jetën ë bashkëfshatarëve të Koritës, mërgimtarit të dalluar nga Zvicra dhe aktivistit për të drejtat e popullit shqiptar gjithandej, Ismet Seferit i lindi ideja e donacionit të një bageri për fshatin e tij të lindjes, me ndihm. Por kush është në të vërtetë Ismet Seferi?! Shtatëdhjetëvjeçari rrjedh nga një familje bujare e fisnike e fshatit Koritë, e cila që nga kohët e hershme është marr me aktivitetet sportive, ndërsa Baca Ismet ka qenë aktivist i dalluar i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Pamje e tij fizike të lë të dyshosh nëse bëhet fjalë për një 60-vjeçar, me një përkujdesje të shkëlqyeshme të fizikut dhe me një elegancë superiore të qëndrimit. Për të mos e zgjatur më shumë, Ismeti është babai i dy boksierëve të njohur botërorë, Nuri dhe Sefer Seferi.

Duke pasur një empati për jetën e rëndë dhe të izoluar të bashkëfshatarëve, ai me ndihmën e sindikalistit e aktivistit shqiptar Emin Emini nga Herzogenbuchsee, vendosi të dhurojë një bager 12 tonësh të sjellur nga Zvicra, për të rregulluar rrugët që ndërlidhin fshatin me fshatrat përreth. Tani, Korita ka rrugë të kalueshme me të gjitha fshatrat përreth, falë punës që vitin e kaluar dhe sivjet realizuan vullnetarët e palodhur nga Zvicra me bagerin.

Gjallërinë këtij fshati ia shton edhe vëllai i Ismetit, Fejzullah Seferi, i cili gjithashtu ka qenë mërgimtar në Zvicër për 30 vite të tëra, ndërsa tani ai i është përkushtuar gjallërisë së fshatit duke krijuar vende punë për pesë punëtorë në ruajtjen e bagëtive si dhe dhjetë vende pune në restorantin e tij. Para disa kohësh, një grup zviceranësh kishin ardhur spontanisht për ta vizituar Koritën dhe ishin mahnitur me bukuritë marramendëse të fshatit, mikpritjen e banorëve si dhe premtimin se në të ardhmen do ta vizitojnë më shpesh këtët fshat. (Shtegu.com)