Floktarja shqiptare triumfon ndaj drejtësisë zvicerane
16:46:38 2019-06-29
Pronarja e një salloni bukurie akuzohet se ka punësuar ilegalisht kolegen e saj nga Kosova. Ajo ka bërë ankesë kundër urdhërndëshkimit. Me sukses.
Pasi që për një kohë të shkurtër një kolege profesioniste nga Kosova ishte për vizitë, pronarja e një salloni bukurie është dashur të njoftohet me drejtësinë zvicerane. Ajo akuzohej se kishte punësuar në mënyrë të paligjshme një të huaj.
Kështu i ndodhi Luanës. 31-vjeçarja elegante u shfaq atë ditë të nxehtë të verës, kur termometri arriti në 35 gradë, e veshur në mënyrë bashkëkohore në Gjykatën e Qarkut në Brugg, me një bluzë pa krahë si modele, pantallona të zeza dhe sandale. Flokët e bardha i kishte lidhur së bashku, çantën e kuqe e kishte varur mbi karrige. E qetë, e vëmendshme dhe në mënyrë të qartë ajo iu përgjigjej pyetjeve të kryetares së gjykatës Chantale Imobersteg, në sallën e klimatizuar të gjykatës.
Luana ka krijuar biznesin e saj në rajon. Sipas të dhënave të saj, ajo ka arritur diçka në këtë drejtim. Por, edhe më tej dëshiron të mbetet e pavarur, është përgjigjur në pyetjen në lidhje me planet e saj për të ardhmen, do të kujdeset për jetën familjare dhe sa më shumë të kalojë kohën e saj të lirë me fëmijët.
Disa vite më parë, përmes të afërmve të saj Luana u takua me një artiste make-up nga Kosova, e cila ka një reputacion të konsiderueshëm. Në mediat sociale ate e ndjekin mbi 100,000 persona, shkruan „Aargauer Zeitung“, përcjell Shtegu.com. Që atëherë, ato kanë qenë në kontakt rreth pesë herë në vit, kryesisht nëpërmjet mesazheve apo telefonit, ka pohuar Luana.
Në qershor të vitit të kaluar, kolegia e saj e vizitoi për herë të dytë. Pas kësaj, policia e kishte pranuar një informatë se një person ishte duke punuar ilegalisht në sallonin e bukurisë. Gjatë inspektimit, policët u takuan me pronaren Luana si dhe me artisten kozmetike nga Kosova. Për një pushim të shkurtër, ajo po qëndronte jashtë duke pirë duhan dhe mbante një pallto të bardhë pune.
Luana është akuzuar se ajo qëllimisht e kishte punësuar një shtetase kosovare, e cila nuk e kishte lejen e nevojshme të punës dhe kinse në Zvicër po qëndronte vetëm si turiste. Akuza bazohej në kundërshtimin e Ligjit federal për të huajt. Zyra e prokurorisë publike kërkoi një gjobë të kushtëzuar prej 60 mëditjeve prej nga 90 franga dhe një gjobë prej 1300 frangash. Kundër urdhërndëshkimit, Luana bëri ankesë, prandaj u zhvilluar seancë gjyqësore.
Gjatë parashtrimit të pyetjeve, Luana siguroi se kolegia e saj profesionale nga Kosova nuk ka punuar për te në studio, por thjesht ka shikuar. Ato kishin biseduar, shkëmbyer përvoja për produktet dhe mënyrat e punës. Studioja e saj ka një dhomë trajtimi, vazhdoi Luana. Te një kliente e saj, ajo po i tregonte se si bëhet trajtimi në Zvicër. Kolegia e saj kishte veshur një mantel pune, pasi ajo donte të fotografohej në studio, sa për t`i shpërndarë fotot nëpër rrjetet sociale, informon më tej Shtegu.com. Luana shpresonte se prania e artistes kozmetike nga Kosova do ta rriste ndërgjegjësimin dhe do të ishte një nxitje për biznesin e saj.
Për mbrojtësen, rrethanat që çuan në akuzë ishin të pakuptueshme. Edhe veprimin e policisë, ajo e përshkroi si të dyshimtë, pyetjet ishin jashtëzakonisht sugjestive. Artistja e njohur nga Kosova, as që ka trajtuar ndonjë kliente e nuk ishte ftuar për të punuar ose se i janë premtuar të holla për punë. Nuk mund t`i mvishet puna, pasi ka bartur mantel pune, deklaroi avokatja mbrojtëse. Me pak fjalë: As puna as paga nuk është konstatuar, mungojnë dëshmitë.
Në vendimin e saj, gjykata e qarkut gjithashtu konkludoi se nuk ka të bëjë me punësim fitimprurës, por me një shkëmbim. E pandehura u lirua nga të gjitha akuzat dhe ndëshkimi, shpenzimet e procedurës do të merren nga arka e shtetit.