Fillon procesi gjyqësor ndaj tre përkrahësve të dyshuar të terrorizmit, ndër ta edhe një kosovar
17:08:52 2017-11-09
Në Mynih të Gjermanisë ka filluar procesi gjyqësor ndaj tre përkrahësve të dyshuar terroristë. Një predikues salafist nga Bayerni, së bashku me një kosovar dhe një boshnjak, në vitin 2013 e 2014 dyshohet se kanë furnizuar terroristët me automjete në Siri.
Gjatë leximit të akuzës, të pandehurit janë dukur të relaksuar, pa ngarkesë psikike. Predikuesi salafist ka mbajtur një mjekërr të gjatë dhe një këmishë të kaltër me katrorë. Në sallën e Gjykatës ai e vërejti një simpatizant të grupit terrorist Al Kaida. Që të dy njihen mirë dhe ia mbyllën syrin njëri tjetrit.
Dy personat e tjerë, një kosovar dhe një boshnjak kanë ardhur me mjekërr të rregulluar dhe kostum elegant. Ata janë distancuar optikisht nga skena islamiste dhe gjenden të lirë. Më heret, boshnjaku ka dashur të bëhet futbollist profesionist. Si portier, ai ka luajtur në kombëtaren juniore të Bosnjës. Më vonë, arriti të inkuadrohet në ekipin gjerman SpVgg Greuther Fürth, në të cilin u angazhua vetëm në ekipin e dytë.
Predikuesi është në paraburgim që nga muaji mars. Në vitin 2013 e 2014, së bashku me dy të tjerët, ai akuzohet se ka furnizuar terroristët me automjete në Siri, shkruajnë mediet gjermane, përcjellë portali „Shtegu.com“. Sipas Prokurorisë feferale të Mynihut, nga Nürnbergu ata kanë dërguar një automjet ambulancë direkt tek grupi Junud al-Sham (në gjuhën shqipe: ushtarët e Sirisë). Përpos kësaj, ata kanë dërguar edhe automjete të përshtatshme për kushte të vështira, të cilat gjithashtu kanë rënë në duar të këtij grupi.
Tre të pandehurit akuzohen për përkrahje të terrorizmit dhe shkelje të Ligjit kundër kontrollimit të armëve të luftës. Deri më 25 janar të vitit të ardhshëm janë planifikuar 21 seanca gjyqësore, ndërsa të akuzuarve iu kërcënohet dënim me burg deri në dhjetë vite. (Shtegu.com)