13:58:24 2017-12-27
Publikimi i lajmit nga Shtegu.com për kosovaren Shqipe Deforel nga Gjilani, ka bërë jehonë të madhe në mediat e shkruara shqipe në mbarë trojet shqiptare. Shumica e lexuesve i dhanë përkrahje të parezervë Shqipes në orientimin e saj jetësor, por pati edhe dy-tre komente të dashakeqësve me motive të ulëta të cilët e sulmuan pa kurrfarë arsye dhe fakte. Megjithatë, Shqipja ndjehet krenare dhe përplot entuziazëm që të vazhdojë me sukseset e saj. Në një reagim të saj tek Redaksia jonë, ajo ka paraqitur edhe një anë krejt të panjohur për lexuesit, por edhe tepër mbresëlënëse.
Për Shqipen tashmë është shkruar edhe një enciklopedi e vogël nga shkrimtaret zvicerane Melanie Rouiller dhe Marie Rime, me titull „Le Chalet d`Alpage“, e cila është botuar para dy viteve dhe mund të gjendet për blerje në Muzeun e qytezës Bulle në Zvicër. Në te përshkruhet një pjesë e jetës së Shqipes në Alpet zvicerane, ndërsa nuk mund të publikojmë hollësira të tjera për shkak të së drejtës autoriale.
Lidhur me kahen e saj të jetës, Shqipja asnjëherë nuk do të pendohet, pasi ajo ka përpara një jetë të lumtur dhe përplot harmoni, ndërsa tek zviceranët ka fituar një respekt të pashoq dhe besim grandioz. Enkas për Shtegu.com, ajo ka deklaruar:
„Asnjëherë pishmane…
Sikur të kthehesha nga e para, prapë të njëjtat gjëra i kisha bërë. Zemra ime është e pastër sepse është e mbushur me dashurinë e Gjyshes (Nenës) dhe nuk ka vend në te për urrejtje. Në rend të parë e falënderoj Zotin për gjithçka, pastaj shokun tim Shabiun që më ndihmoi ekonomikisht dhe materialisht, sa herë që kam pasur nevojë, edhe Hallën time (abuqen) që më përkrahi në çdo sfidë të jetës emocionalisht dhe moralisht, pastaj Agjën tim në Kosovë që sa heë më është dashur, ai ka qenë i gatshëm të më dalë në ndihmë dhe vajzën e tij Fitoren, që ditën e par kur kam mbërri në Zvicër ajo ma hapi derën. Gjithashtu i falënderoj edhe prindërit e mi, pasi nga babai e kam të trashëguar virtytin e punës, ndërsa nëna më mundësoi të shohë për herë të parë dritën e kësaj jete. Dhe në fund personin e jetës Philippe, që më respektoi e më fali dashurinë dhe besimin e tij.“
Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se Shqipes t`i urojmë suksese të mëtutjeshme në profesionin e saj në përpunimin e drurit të veçantë, me të cilin do të krenoheshin edhe shumë e shumë femra të tjera zvicerane, por që nuk janë të afta si Shqipja për ta ushtruar. (Shtegu.com)



