EKSKLUZIVE: Çifti bashkëshortor shqiptar nga Gjilani, pronar i katër restoranteve në kryeqytetin helvet
13:41:54 2019-08-18
E kërkuam në picerinë e tij „Piazza“ në Schönbühl të Zvicrës, por punëtorët shqiptarë të angazhuar në këtë lokal të mrekullueshëm, na thanë se pronari ishte duke punuar në përfundimin e riparimit të lokalit tjetër të sapoblerë „Brunello“ në Kehrsatz. Nuk kishim tjetër zgjidhje: E porositëm nga një meny, me nga një pjatë të stërmbushur me ushqim kualitativ, sipas recetave italiane. Është kënaqësi e rrallë kur kamarierët e zellshëm të shërbejnë në gjuhën shqipe, me një mikpritje shembullore e të ngrohtë, që të bën të mendosh se je midis Kosovës. Këtu nuk është ndonjë risi e jashtzakonshme që të takosh ndonjë këshilltar federal zviceran, polic, zjarrfikës, apo politikanë të ndryshëm. Sapo të vijë koha e drekës apo e darkës, lokali mbushet me mysafirë të cilët shërbehen në mënyrë profesionale dhe në një kohë rekorde, me një staf të mrekullueshëm e profesional. Ai është i stolisur në stilin zviceran, me një ambient fantastik familjar.
Është shumë e vështirë të takohet pa ndonjë termin Muhamet Kamberi, pronari shqiptar i katër restoraneve në rrethinën e kryeqytetit helvet, i lindur në Zvicër, por me prejardhje nga rrethina e Gjilanit. Takimin e lamë në ora 14.30 në Brunello, ku po realizoheshin punimet përfundimtare. Edhe pse afarist i suksesshëm, e gjetëm me rrobe të punës sikurse në kantier. „Nuk kam fituar lotari, të gjitha janë arritur me punë“, filloi bisedën me një buzëqeshje të sinçert enkas për Shtegu.com. Babai i Mujës, siç e njohin të gjithë me këtë nofkë, në Zvicër kishte ardhur me gjeneratën e parë të bashkatdhetarëve tanë, diku nga fundi i dekadës së shtatë të shekullit të kaluar. Pas një pune të mundimshme, ai arriti të bëjë bashkimin familjar dhe ta sjellë familjen në Zvicër. Mirëpo, brenga që fëmijët e vet do të asimiloheshin shumë shpejt, e detyroi që ata t’i dërgojë në Kosovë për ta mësuar dhe mos ta harruar gjuhën shqipe, periudhë kjo kur Muja ishte 13-vjeçar, e deri në moshën 17-vjeçare. Një hap që rrallëkush nga bashkatdhetarët ka guxuar ta ndërmarr dhe që është për çdo lëvdatë, pasi Muja tani gjuhën shqipe e flet rrjedhshëm.
Pas kthimit nga Kosova, Muja fillon menjëherë punën në sferën e gastronomisë, duke përfunduar trajnime e praktika të ndryshme dhe duke u pajisur me diplomë të një gastronomi me përvojë. Një pyetje paksa provokuese ishte shqiptimi i emrit të Isni Jeminit, ish menaxhuesi më i njohur ndërshqiptar në rrethinën e Bernës. „T’i lëmë anësh thashethëniet, për mua Isniu është gjenerator i sukseseve të shqiptarëve në sferën e gastronomisë. Shumica që kanë punuar te Isniu ia kanë pa hajrin, në mesin e tyre jam edhe unë pasi dy vite i kalova si punëtor i tij, duke fituar përvojë dhe inspirim të rëndësishmëm. Duke iu falënderuar atij, shumë shqiptarë sot janë menaxhues të lokaleve hotelierike“, thotë Muja, pa kurrfarë zilie ndaj tij.
Në restorantet e tij janë të angazhuar 42 punëtorë, të cilëve duhet shtuar edhe 12 të tjerë që duhet të fillojnë me punë në Brunello në muajin shtator dhe prej të cilëve gjysma janë shqiptarë. Përpos „Piazza“ në Schönbühl që e menaxhon vajza e tij Arberita dhe „Brunello“, nën udhëheqjen e dhëndrrit të vet Flakron Isaki, Muja posedon edhe dy restorante të tjera: „Piazzetta“ në Burgdorf i menaxhuar nga bashkëshortja Bukurije dhe „Puccini“ në Belp, i menaxhuar nga vajza e vet, Arijeta. Pronarë të tyre zyrtarë janë Muhamet dhe Bukurije Kamberi. Nëpër të gjitha lokalet shërbehet kryesisht ushqim italian, ndërsa ndonjëherë rrallë Muja organizon edhe përgatitje të ushqimeve nga Kosova, mirëpo, si duket mysafirët e vet nuk kanë shumë interes për ta ndryshuar menynë.