E pabesueshme: Në Maqedoni 678 banesa sociale, asnjë për shqiptarët

247 Lexime

Nga viti 2008 e deri më tani, Qeveria e Maqedonisë me mjete nga Buxheti i shtetit ka ndërtuar 13 ndërtesa me 678 banesa në Ohër, Kërçovë, Makedonska Kamenicë, Koçanë, Kriva Pallankë, Berovë, Kavadar, Manastir, Shtip, Prilep, Demir Hisar, Resnjë dhe në shtatë komuna të Shkupit – Aerodrom, Lisiçe, Karposh, Kisella Vodë, Gazi Babë, Ilinden, Petrovec

 

 

Gjithsej 76 familje nga kategoritë e cenueshme sociale nga Prilepi janë qytetarët e fundit që për këtë vit e kanë rregulluar çështjen banesore, investim qeveritar ky në vlerë prej 1.7 milionë euro, ndërkohë që në fillim të vitit të ardhshëm – edhe 43 familje të tjera e që janë në rrezik social në Koçanë, do të kenë fatin të strehohen në banesa sociale, gjithashtu projekt i financuar nga Qeveria në vlerë prej 1.2 milionë euro. Në ndërkohë, 119 banesat sociale në Prilep dhe Koçanë i janë shtuar 678 banesave tjera që tashmë janë ndërtuar në 13 qytete dhe komuna në Maqedoni. Megjithatë, në numrin prej 678 banesave për qytetarët në rrezik social, nuk gjendet asnjë vendbanim ose komunë shqiptare. Në Shkup, vetëm Komuna urbane e Çairit është anashkaluar nga projekti qeveritar për ndërtesa sociale, ndërkohë që të tilla nuk ka as në Tetovë, Strugë, Kumanovë, Kërçovë, Dibër dhe Gostivar. Në këtë të fundit, sipas paralajmërimeve, vitin e ardhshëm pritet të nis ndërtimi i ndërtesave me rreth 70 banesa sociale, ndërkohë që e njëjtë është paraparë të ndërtohet edhe në Saraj. Vetëm për vitin 2016-2018, Qeveria në programin e saj ka paraparë edhe 1741 banesa sociale në 32 ndërtesa në gjithsej 26 qytete: Pehçevë, Vinicë, Sveti Nikollë, Probishtip, Strumicë, Butel dhe Saraj të Shkupit, Gjevgjeli, Dibër, Kumanovë, Gostivar dhe Negotinë. Në inaugurimin e banesave sociale në Prilep, kryeministri Gruevski tha se bëhet fjalë edhe për një ndërtesë të ndërtuar në kuadër të projektit qeveritar për persona në rrezik social dhe kategori të tjera të rrezikuara të qytetarëve të këtij qyteti, ndërsa informoi se, ndërtesa e re është e dyta e këtij lloji në këtë komunë. Objekti i dytë banesor me banesa sociale në Koçanë, siç ka tha Gruevski, sipas planit duhet të përfundohet në gusht të vitit 2017, ndërsa ka informuar se në këtë qytet, ndërtesa me 43 banesa sociale është e dyta në këtë komuna. Ndryshe, nga viti 2008 e deri më tani, Qeveria e Maqedonisë me mjete nga Buxheti i shtetit ka ndërtuar 13 ndërtesa me 678 banesa në Ohër, Kërçovë, Makedonska Kamenicë, Koçanë, Kriva Pallankë, Berovë, Kavadar, Manastir, Shtip, Prilep, Demir Hisar, Resnjë dhe në shtatë komuna të Shkupit – Aerodrom, Lisiçe, Karposh, Kisella Vodë, Gazi Babë, Ilinden, Petrovec. Asnjë komunë shqiptare nuk është paraparë deri tani në projektin qeveritar për banesa sociale, ndërkohë që arsyetimet, kuptohet që vlejnë vetëm kur bëhet fjalë për vendbanimet shqiptare, është se „problem paraqitet mungesa e tokës shtetërore“. (Koha.mk)