Dy shqiptarë dënohen me gjithsej shtatë vite burg në Austri
Avokati shqiptar Mirsad Musliu
22:18:04 2018-02-01
Dy shqiptarët (23 dhe 29-vjeçarë), gjatë trafikimit të lëndëve narkotike kanë hasur në hetues të fshehtë policor austriak. Të martën ata u dënuan nga Gjykata e Slazburgut me katër vite e gjysmë, gjegjësisht me dy vite e gjysmë burgim të pakushtëzuar. Vendimi nuk është i plotëfuqishëm.
Gjatë dorëzimit të 63 kilogramëve marihuanë, më 13 korrik të vitit të kaluar, dy shqiptarët janë kapur nga policia austriake: Blerësi i pakos me drogë ka qenë një hetues policor, ndërsa vlera e shitjes së saj është llogaritur në gjysmë milioni euro. Pas dorëzimit të lëndës narkotike në një qendër tregtare në afërsi të Linzit, dy shqiptarët u vunë në pranga. Një person i besueshëm i policisë e kishte lidhur marrëveshjen me ta.
Që të dy kushërinjtë shqiptarë, të martën është dashur të përgjigjen para Gjykatës së Salzburgut. Veprat e tyre ata i kanë pranuar në shumicën e rasteve, ndërsa kanë qenë të mbrojtur nga avokatët Kurt Jelinek dhe Mirsad Musliu.
Hetuesi policor, me vendbanim në Vjenë, një austriak 48-vjeçar, personalisht shtatë herë i dënuar, është marrë në pyetje nga Gjykata përmes një video konference. Është e pabesueshme, por e vërtetë: Hetuesit e tillë janë nga rrethi kriminel, por që punojnë për policinë austriake. Për veprat e tij të shumta, në tetor të vitit të kaluar, ai ishte dënuar për trafikim të 75 kilogramëve hashash me vetëm dy vite burg me kusht, pasi ka punuar për policinë. Dënimet për dy shqiptarët janë vlerësuar si rigoroze. (Shtegu.com)