Drejtori për siguri i Bernës: Tifozë të tillë nuk duhet lejuar fare të vijnë
08:26:25 2019-08-23
Ekipi i Crvena Zvezda nga Beogradi ka lënë gjurmë në Bernë. Drejtori për sigurisë i Bernës, Reto Nause megjithatë flet për një operacion të suksesshëm policor.
Në një intervistë dhënë “20 Minuten” të cilën e ka përshtatur Shtegu.com, ai ka folur për ngjarjet e së mërkurës, me ç`rast janë mobilizuar forca të mëdha policore për të mbrojtur rendin në qytet.
Ndeshja sipas tij, ka qenë e vlerësuar me rrezikshmëri të lartë, pasi kudo dhe në çdo kohë gjendja shpirtërore në qytet ishte e tensionuar, gjithmonë duhej pritur dhunë nga tifozët. Ndërsa falë falë ndërhyrjes së guximshme të forcave policore, është mënjanuar më e keqja.
Dhuna e tifozëve serbë ishte e lartë. Në rrugën Hodlerstrasse është sulmuar një person dhe përleshja ka mundur të zgjidhej vetëm me të shtëna paralajmëruese. Para stadiumit, një grup gjithashtu u përpoq të sulmonte me forcë sektorin e jashtëm. Edhe këtë ka mundur ta parandalonte policia zvicerane.
Ai ka pohuar se numri i tifozëve serbë ishte shumë më i madh se sa 2 mijë të paralajmëruar. Përkundër kësaj, ai ka shtuar se «policia ishte në vendin e duhur në kohën e duhur dhe ndërhyri si duhet».
Në fund të intervistës, Nause ka deklaruar nëse duhet të mendohet që tifozë të tillë të dhunshëm të mos lejohen të vijnë në ndeshje futbolli. Atyre nuk duhet lejuar të vijnë në Zvicër, ashtu siç funksionon edhe në Angli. Megjithatë, masa të tilla tejkalojnë ingerencat e qytetit të Bernës.