Drejtësia Zvicerane i dha leksion drejtësisë në Kosovë

47 Lexime

17:51:54                  2017-07-04

 

 

 

NGA MIMOZË LAKNA

 

 

 

 

 

Atë që nuk po e bën drejtësia vendore për vite me radhë, e bëri drejtësia zvicerane. Një krim i kryer 14 vite më parë kundrejt stafit të gazetës kombëtare “Bota sot”, po fillon të zbardhet. Autoritetet e drejtësisë zvicerane e kanë në duar personin që bëri sulm terrorist në redaksinë e gazetës “Bota sot”, ku fati i madh ishte ai që shpëtoi të pranishmit nga bomba ruse.

Për 14 vite me radhë gazeta “Bota sot”, kërkoi drejtësi, kërkoi që të dihen autorët e krimit makabër. Për arrestimin e personit që me bombë ruse donte ta hidhte në ajër gjitha stafin e gazetës kanë shkruar të gjitha mediet zvicerane. Në anën tjetër, nga shumica e medieve në Kosovë ky lajm u kalua në heshtje, ashtu si asnjëherë nuk përmenden rastet e vrasjeve të gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të gazetës “Bota sot”. Sa për organet vendore të drejtësisë më mirë të mos flasim.

Ato asnjëherë nuk morën mundin dhe nuk bënë përpjekje serioze për zbardhjen e dhjetëra vrasjeve politike që ndodhën në Kosovën e pasluftës. Drejtësia e kapur dhe të dyshuarit për krime në institucione nuk po i zbulojnë vrasjet enigmatike të shumë figurave kyçe të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Është drejtësia ndërkombëtare ajo e cila duhet “t`ua hapë sytë me gisht”, politikanëve dhe institucioneve të drejtësisë në Kosovë për të parë se si duhet të veprohet në rastet e rënda dhe krimet makabre të pasluftës.

Kosova vazhdon të jetë e robëruar nga strukturat e krimit të organizuar. Ato po e mbajnë pengfatin e qytetarëve të Kosovës që as deri në vendet evropiane nuk e kanë mundësinë e lëvizjes së lirë. (Bota Sot)