Doganieri zviceran refuzon ta ndihmojë refugjaten siriane shtatzane, foshnja lindë e vdekur
10:19:29 2017-11-22
Nga dita e sotme (e mërkurë), një doganier zviceran do të paraqitet para trupit gjykues ushtarak në Bernë, për lindjen e foshnjes së vdekur të një refugjate siriane. Dyshohet se ai ia ka mohuar ndihmën e nevojshme mjekësore gruas shtatzanë.
I pandehuri ka qenë përgjegjës për një grup doganierësh, të cilët përmes Zvicrës është dashur të kthenin prapa për në Itali një grup refugjatësh sirianë.
Gruaja shtatzanë në muajin e shtatë, së bashku me të afërm të saj dhe disa refugjatë të tjerë, nga fillimi i muajit korrik 2014 ka qenë duke udhëtuar nga Milano për në Paris. Por, grupi u ndalua dhe doganierët zviceranë është dashur ta kthejnë nga Vallorbe, përmes Brig, për në Domodossola të Italisë.
Gjatë qëndrimit afatshkurtër në Brig, gruaja ndjen dhembje dhe gjakderdhje, të cilat i përshkruan si dhembje të lindjes. Bashkëshorti i saj menjëherë i ka informuar doganierët, duke kërkuar ndihmë urgjente, shkruan „Blick“, përcjellë „Shtegu.com“. Sipas aktakuzës, doganieri në fjalë ka refuzuar të kërkojë ndihmë për të mos penguar udhëtimin e mëtutjeshëm për në Itali. I pandehuri me vetëdije e ka marrë përsipër vdekjen e foshnjes së palindur, pasi sipas tij, pas arritjes në Domodossola, çështja do të kalonte tek autoritetet italiane, thuhet më tej në aktakuzë. Kjo është vlerësuar si pakujdesi e doganierit i cili ka pohuar se familjes nuk do t`i ndodhte asgjë deri në Itali.
Bashkëshorti ka vazhduar t`i lusë të gjithë doganierët për ndihmë, por i pandehuri i ka thënë se ai personalisht është fajtor që me një grua shtatzanë ka ndërmarrë një udhëtim të tillë. Sipas tij, ndihmë mjekësore do të duhej të kërkonte në Itali.
Pas arritjes në Domodossola, shtetasja siriane rrëzohet ndërsa autoritetet italiane menjëherë i ofrojnë ndihmën e duhur mjekësore. Në një spital të afërt, mjekët kanë mundur të konsttojnë vetëm vdekjen e foshnjes së palindur.
Rasti ka shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare. Mjeku përkujdesës i ka kritikuar ashpër autoritetet zvicerane në televizionin shtetëror zviceran. Gjatë këtyre simtomeve, gruaja shtatzanë është dashur të dërgohet menjëherë tek mjeku apo në spital.
Atëbotë, kryetarja e Komunës Domodossola, Liliana Graziobelli është tronditur pa masë për rastin. „Një grua shtazanë në Europë, nuk duhet të trajtohet në mënyrë të tillë. Kjo që ka ndodhur në shtetin fqinj, më ka goditur rëndë“, ka deklaruar ajo. Italia ia ka njohur familjes siriane statusin e refugjatëve.
Ky proces gjyqësor pritet të zgjatë deri të premten. (Shtegu.com)