Djaloshi zviceran tmerrohet nga tërmeti, natën do ta kalojë në aeroport
Të shtunën në Shqipëri është dridhur toka me një intensitet prej 5.6 shkallë! Me këtë rast janë lënduar 37 persona, shkruan «Blick», përcjell Shtegu.com. Shtetasi zviceran Keerat D. përjetoi disa sekonda tmerri dhe ankthi.
Sipas qendrës seizmologjike amerikane USGS, me një intensitet prej 5.6 shkallësh dhe ndodhi menjëherë pas orës 16.00 sipas kohës së Europës Qendrore.
Shtetasi zviceran Keerat D., për gazetën zvicerane ka rrëfyer se ai ka qenë në një xhiro tregtie në qendrën Toptani në Tiranë, kur papritmas toka filloi të dridhet. „Dukej sikurse ndërtesa po shembej“, thotë 23-vjeçari zviceran nga Rorbas ZH.
Ai menjëherë vrapon nga kati i gjashtë shkallëve teposhtë drejt daljes. „U frikësova shumë“, thotë ai. Sipas tij, tërmeti u ndje për rreth 40 sekonda. Të gjithë njerëzit filluan të vrapojnë. „Kishte panik“. Megjithatë, djaloshi nga Cyrihu nuk kishte pa ndonjë të plagosur. „Disa njerëz filluan të qajnë“, thotë ai. Dhjetë minuta më vonë, pasoi një dridhje tjetër.
Në rrugë kishte „një tollovi të madhe“. Së bashku me shokun e tij, ai vazhdoi drejt e në qendër të qytetit dhe prej andej në drejtim të banesës së tij me qira. „Qendra mbeti e padëmtuar me sa e vërejta, por ndërtesat e tjera pësuan çarje. Shumë njerëz nuk guxonin të futeshin brenda dhe ishin ulur jashtë“, thotë D.
Në apartament, dy miqtë i priste një befasi tjetër. „Në banjo, tërmeti i kishte thyer pllakat dhe kishte shkaktuar çarje kudo“, thotë ai.
Qiradhënësi u kishte ofruar të dyve që natën e fundit të qëndronin gjetiu, por Keerat D. dhe shoqëruesi i tij nuk pranuan. „Ne do të shkojmë në aeroport dhe do të qëndrojmë atje gjatë natës. Në banesë ndjehemi të pasigurt“. Të Dielën në ora 10.00, avioni i tyre do të fluturojë për në Cyrih.
Qendra e tërmetit shtrihet gjashtë kilometra në veri të qytetit të Durrësit në një thellësi prej dhjetë kilometrash. Disa minuta më vonë, sipas USGS, një tërmet tjetër me intensitet 5.1 shkallësh ndodhi në të njëjtin rajon, në perëndim të kryeqytetit shqiptar Tiranë. Rreth orës 18.10, pasoi një tërmet tjetër me intensitet 4.7. Sipas informacioneve nga radiotelevizioni shqiptar RTSH, në spital fillimisht u shtruan 68 persona.
Tërmetet u ndje edhe në vendet fqinje të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, sipas raporteve të mediave nga të dy vendet.