Dënohet roja kufitare zvicerane që nuk e ndihmoi sirianen shtatzane
11:40:49 2017-12-07
Një roje kufitare zvicerane, të enjten është shpallur fajtor nga Gjykata ushtarake e Bernës. Ai ia ka refuzuar ndihmën mjekësore një refugjateje shtatzane nga Siria në vitin 2014, ndërsa ajo ka lindur foshnjen e vdekur.
Gjykata e ka dënuar rojen me shtatë muaj burgim me kusht dhe me një gjobë me kusht prej 60 mëditjesh me nga 150 franga zvicerane. Ai është shpallur fajtor për „shkaktim të lëndimeve trupore nga pakujdesia, përpjekjes për ndërprerje të shtatzanisë dhe mosrespektimit të shumëfishtë të rregullave të shërbimit.
I dënuari ka qenë përgjegjës për një grup doganierësh, të cilët përmes Zvicrës është dashur të kthenin prapa për në Itali një grup refugjatësh sirianë.
Gruaja shtatzanë në muajin e shtatë, së bashku me të afërm të saj dhe disa refugjatë të tjerë, nga fillimi i muajit korrik 2014 ka qenë duke udhëtuar nga Milano për në Paris. Por, grupi u ndalua dhe doganierët zviceranë është dashur ta kthejnë nga Vallorbe, përmes Brig, për në Domodossola të Italisë.
Gjatë qëndrimit afatshkurtër në Brig, gruaja ndjen dhembje dhe gjakderdhje, të cilat i përshkruan si dhembje të lindjes. Bashkëshorti i saj menjëherë i ka informuar doganierët, duke kërkuar ndihmë urgjente, shkruan „Aargauer Zeitung“, përcjellë „Shtegu.com“. Sipas aktakuzës, doganieri në fjalë ka refuzuar të kërkojë ndihmë për të mos penguar udhëtimin e mëtutjeshëm për në Itali. I pandehuri me vetëdije e ka marrë përsipër vdekjen e foshnjes së palindur, pasi sipas tij, pas arritjes në Domodossola, çështja do të kalonte tek autoritetet italiane, thuhet më tej në aktakuzë. Kjo është vlerësuar si pakujdesi e doganierit i cili ka pohuar se familjes nuk do t`i ndodhte asgjë deri në Itali.
Bashkëshorti ka vazhduar t`i lusë të gjithë doganierët për ndihmë, por i pandehuri i ka thënë se ai personalisht është fajtor që me një grua shtatzanë ka ndërmarrë një udhëtim të tillë. Sipas tij, ndihmë mjekësore do të duhej të kërkonte në Itali.
Pas arritjes në Domodossola, shtetasja siriane rrëzohet ndërsa autoritetet italiane menjëherë i ofrojnë ndihmën e duhur mjekësore. Në një spital të afërt, mjekët kanë mundur të konstatojnë vetëm vdekjen e foshnjes së palindur.
Para Gjykatës ushtarake, prokurori e ka akuzuar rojen se atij i ka munguar ndjenja e humanizmit njerëzor, duke kërkuar shtatë vite burg për të akuzuarin. Ky rast rojes i kishte qëlluar në moment të papërshtatshëm, pasi ka qenë e premte dhe ai ka dashur që sa më shpejt ta përfundojë orarin e punës.
Nga ana tjetër, pala mbrojtëse ka kërkuar lirimin nga akuza, pasi roja e kishte vërejtur rastin në momentin që të afërmit kanë qenë duke e bartur nga treni gruan siriane.(Shtegu.com)