Mbrëmjen e Krishtlindjes, në restorantin „Cosa Nostra“ janë mbledhur 5,000 euro për viktimat e tërmetit në Shqipëri. Hikmete Hajrullahi, bashkëshortja e pronarit, paratë e grumbulluara i dërgoi në Shqipëri.
Krishtlindja është festa e bamirësisë – përse të mos përdoret kjo edhe për punë në restorantin e tyre, menduan Servet dhe Hikmete Hajrullahi nga restoranti „Casa Nostra“ në Sende të rrethinës Stukenbrock të Gjermanisë. Dhjetë vite më parë, në restorantin e tyre ata startuan një darkë për mbledhjen e fondeve. Që atëherë, janë mbledhur më shumë se 50,000 euro për projekte dhe institucione rajonale. Por, vitin e kaluar 5000 eurot e grumbulluara shkuan për herë të parë në Shqipëri. Kjo ka një lidhje me historinë e çiftit Hajrullahi, shkruan „Neue Westfällische“, transmeton Shtegu.com.
Në byfenë e „Casa Nostra“ kishte antipasta, mish pule dhe të gjitha llojet e gjërave të tjera të gatshme. Të ftuarve në restorantin e stërmbushur nuk u kushtoi asgjë, por u grumbulluan 3,725 euro, të cilat çifti Hajrullahi i rrumbullakësoi në 5,000 euro. Katër punonjësit në kuzhinë dhe gjashtë kamarierët hoqën dorë nga mëditjet e tyre. „Qëndrim i shkëlqyeshëm, ekip i shkëlqyeshëm“, tha shefi i restorantit Servet Hajrullahi.
Paratë shkojnë në fondacionin „Shqiptarët per shqiptarët“ , i cili kujdeset për viktimat e tërmetit në Shqipëri. Në fund të nëntorit të kaluar, në Shqipëri toka u dridh, 51 persona vdiqën, rreth 2,000 të tjerë u lënduan dhe të paktën 4,000 persona u bënë të pastrehë gjatë natës. Hikmete Hajrullahi i dërgoi të hollat në fondacionin në Shqipëri dhe nga atje ka marr një pasqyrë për situatën aktuale.
Deri më tani, donacionet kanë shkuar kryesisht në qendrat e kujdesit ditor dhe institucionet që kujdesen për fëmijët. Fondacioni Gütersloh Osthushenrich, i cili mbështet arsimin e fëmijëve, shpesh ka dyfishuar ose madje trefishuar shumën e donacioneve.
„Para se të fillonim darkën për mbledhjen e fondeve, mbrëmjen e Krishtlindjes e kishim të lirë. Pasi që gjithmonë japim 100 për qind nga vetvetja, menduam, pse jo edhe kësaj radhe“, tha Serveti 42-vjeçar. Kryetari Hubert Erichlandëehr falënderoi pronarin, ekipin dhe të ftuarit, disa prej të cilëve tashmë janë shënuar në agjendën e pjesëmarrjes për çdo vit.
Menaxhuesi i restorantit Servet Hajrullahi: „I falënderoj të gjithë donatorët! Sigurisht se edhe vitin e ardhshëm do të vazhdojmë idenë për ndonjë qëllim të mirë“.

