Blerja e popullit me paratë e popullit

80 Lexime

 

2019-08-19

Nga Shkelzen Halimi

Përvoja ka treguar se edhe politika u bë mall konsumimi, ndërkaq në këtë treg mund të qëndronin vetëm ata që kishin para. Te paraja, siç do të shihet nga shembujt e shteteve në tranzicion, në veçanti në hapësirën ballkanike, lehtë dhe shpejtë do të arrihet vetëm përmes politikës. Brenda kësaj periudhe, shqiptarët i lanë anash të gjitha profesionet (përfshi edhe zejet e ndryshme) dhe verbërisht iu përkushtuan politikës, sepse tashmë ata, nga rrëfimet urbane-provinciale, kishin dëgjuar, por edhe kishin qenë dëshmitarë, se si shumë individë brenda natës e ndryshuan gjendjen e tyre materiale, duke u bërë model “i suksesit” për shumë të rinj që e shqelmuan edhe arsimin, duke thënë: “po kush ia ka parë hairin mësimit”! Politika, pra, u bë “biznesi” më profitabil. Më të fuqishmit do të janë ata që do t’i kanë paratë, ata që i hapnin valixhet sa herë që vinte koha e zgjedhjeve, ata që, në një mënyrë, ishin bërë ente punësimi. Pavarësisht se në radhët e tyre do të gjejë strehë mosdija, dredhia, mashtrimi, manipulimi, shpërfillja, ata do të jenë individë të respektuar, sepse në vend të tyre fliste paraja, e cila përmes formave të ndryshme merrej pikërisht nga ata që i respektonin. 
Pra, bëhej fjalë për një ndërlidhje absurde, por që funksiononte në mënyrë të përsosur. Ata e blinin popullin me paratë e popullit (sidomos gjatë zgjedhjeve). Nuk ishte vështirë të dish të blesh në politikë. Mjaftonte të blihet vetëm një produkt: vota dhe pushteti ishte i garantuar… Shqiptarët asnjëherë nuk i kuptuan rregullat e vërteta të politikës. Programi dhe statuti i partisë për ta ishte diçka e panjohur. Elitat politike preferuan dëgjueshmërinë, ndërkaq militantët ushqeheshin me iluzionin për t’u pasuruar. Pra, kemi të bëjmë me një rreth të mbyllur, brenda të cilit lëviznin vetëm dy synime. Dëgjueshmëria ishte kushti kryesor dhe i vetëm për të qenë në pozita udhëheqëse, për të tjerat kujdesej partia. Dhe, në këto pozita u ngjitën individë me moral të dyshimtë, me nivel të ultë të arsimit, injorantë, intrigantë, por pati edhe individë me të kaluar kriminale. 
Ata që e kishin menduar pushtetin si “bahçe të babës”, do të bëhen gaz i botës dhe do ta vënë në siklet partnerin (maqedonas) tjetër në pushtet, i cili asnjëherë, ama kurrë, nuk pati besim te partnerët shqiptarë, ndaj dhe ai do të instalojë një mekanizëm të pavërejtur kontrolli, duke i mbajtur “udhëheqësit” shqiptarë në margjina të aktiviteteve me karakter shtetëror. Kurse shqiptari në udhëheqje apo administratë do të kënaqet me pushime të gjata (gjatë orarit të punës) e shëtitje nëpër rrugët e Shkupit, nëpër kafene apo në lojëra të ndryshme të kompjuterit. Sa për ilustrim po përmendim një ngjarje të vërtetë, që në fakt është shumë, shumë e dhembshme. Një militanti partiak do t’i caktohet vendi i punës në Qeveri, gjegjësisht një pozicion relativisht i rëndësishëm. Sapo përfundon ditën e parë në detyrën e re, shokët e lagjes e pyesin se si kishte kaluar. U kënaqa, kishte thënë ai, vetëm sot i kam pirë trembëdhjetë shvepsa!