Basketbollistët e Kosovës përballen me Zvicrën
Kosova sonte (19:30) do të ketë njërën nga ndeshjet më të rëndësishme
Dardanët përballen në Bern, ku presin përkrahjen nga bashkatdhetarët për ndeshjen ndaj Zvicrës, që është lidere e Grupit A, të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027.
Zvicra ka dy fitore, ndërsa Kosova një fitore e një humbje. Vendasit në renditjen e FIBA-s janë në vendin e 61-të, kurse të 32-tin në Evropë. Kosova është në vendin e 74-t në botë dhe të 35-tin në Evropë.
Në vitin 2023 u përballën dy herë, ku Kosova triumfoi dy herë.
Në Prizren fitoi 76:49, derisa në Fribourg 72:76.
Pas Zvicrës, Kosova do të ndeshet me Irlandën më 24 nëntor në Dublin.
Ndërkohë, Kosova ndeshjet e fundit i zhvillon në shkurt të vitit të ardhshëm si vendas ndaj Zvicrës dhe Azerbajxhanit.
Dardanët filluan përgatitjet më 12 nëntor nën udhëheqjet e përzgjedhësit të ri, Jean-Denys Choulet.
Për shkak të lëndimit nuk do të jetë Musab Mala, derisa në fund probleme me lëndime kanë pasur edhe Valon Bunjaku dhe Samir Zekiqi, duke mos arritur të jenë të gatshëm për këto ndeshje. Dominic Artis është rikthyer te Kosova.
Atmosfera në ekipin dardan ka qenë mjaft e mirë nga fillimi deri në fund, duke u përgatitur maksimalisht për këto dy ndeshje.
Kosova ka një fitore dhe një humbje, derisa Zvicra ka dy fitore në dy ndeshje. Azerbajxhani ka po ashtu një fitore e një humbje, kurse Irlanda është e fundit me dy humbje.
12shja e Kosovës
Dardan Berisha
Meriton Ismaili
Arti Hajdari
Gëzim Morina
Arian Qallaku
Lis Shoshi
Mikaile Tmusiq
Erjon Kastrati
Dardan Kapiti
Rron Ukaj
Dominic Artis
Muhamedali Janjeva
Përzgjedhës: Jean-Denys Choulet
Ndihmëstrajnerë: Bujar Loci, Dritëro Sefaja dhe Andin Rashica