Marion Löcker ka udhëtuar për në Shqipëri, për të ndihmuar qentë. Ajo për „Kurier“ ka folur për përshtypjet e saj.
Janë skena të trishtueshme që vazhdojnë të zhvillohen në Shqipëri për çdo ditë. Për shkak se shumë njerëz nuk mund ta përballojnë kujdesin veterinar, ushqimin apo kastrimin, qentë thjesht braktisen në rrugë. Mijëra prej tyre janë nëpër rrugë. Nëse kapen, ata përballen me vdekje nga helmi ose të shtënat.
Marion Löcker nga rrethi Melk gjithashtu e njeh situatën në Shqipëri. Löcker është kryetare e shoqatës për mbrojtjen e kafshëve „Robin Hood“ dhe zemra e saj ka rrahur për ndihmë të kafshëve për shumë vite. Disa kohë më parë, ajo mori një thirrje për ndihmë nga Elbasani, një qytet në Shqipërinë qendrore, shkruan më tej „Kurier“, transmeton Shtegu.com.
„Nga aktivistët për të drejtat e kafshëve më kërkuan t’i mbështesnin ata financiarisht sepse u duheshin 500 euro në muaj për të blerë ushqim për qenë. Sigurisht që isha e lumtur që u ndihmova”, thotë Löcker.
Sidoqoftë, gruaja nga „Robin Hood“ dëshironte të krijonte një pasqyrë mbi situatën dhe për këtë arsye udhëtoi për në Shqipëri në muajin shkurt. Ajo vizitoi strehimoren e kafshëve, ku 150 qenë duhet të ushqehen për çdo ditë, u takua me stafin e „Elbasan Rescue“ dhe madje arriti të ketë një takim edhe me kryetarin.
„Ai më bëri të qartë se ata nuk duan më të vrasin qenë. Unë mund të shpresoj se ky premtim do të mbetet edhe në periudhat e vështira aktuale“, thotë Löcker.
Në fakt, personat që duan të adoptojnë ndonjë qen, thuhet se mbështeten financiarisht nga qyteti.
Löcker gjithashtu është e angazhuar për zgjerimin e këtij sistemi. Së shpejti do të nisë iniciativa „Adoptimi në distancë“, ku për kujdesin e një qeni mund të përkrahni me një donacion prej 20 eurosh.
Në Rumani, thotë austriakja, e cila gjithashtu ndihmon qentë e keqtrajtuar edhe në Grenlandë, kjo fushatë ka funksionuar shumë mirë.
Për më tepër, aktivistja dëshiron të zhvillojë fushata kastrimi me kolegët e saj në Shqipëri për të ndërgjegjësuar popullatën. „Shpresoj që të gjitha këto plane të mund të zbatohen“.
P.S.: “Një projekt i ri ka lindur. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar qentë në Shqipëri“.


