Çfarë roli luajnë gratë në sulmet në Europë? Përse po ndodhin shumë sulme të tilla? Dhe çfarë do të thotë kjo për Zvicrën? Analisti i sigurisë Adrian Shtuni jep përgjigje në intervistën me „20 Minuten“.
Z. Shtuni, ne jemi dëshmitarë të sulmeve të shpeshta me thikë nga xhihadistët në Europë. Por duket e pazakontë që një grua me simpati të pretenduar për SHI, përpiqet të sulmojë e vetme një dyqan. A jeni dakord?
Po. Nëse konfirmohet plotësisht se ky ishte një akt i frymëzuar nga SHI, do të ishte njëri nga rastet e paktë në Europë në të cilën një grua u shfaq në një sulm xhihadist – dhe do të ishte rasti i parë në Zvicër. Megjithatë, terrorizmi ishte dhe nuk është një sferë ekskluzivisht mashkullore.
Çfarë do të thotë saktësisht kjo? Për sa gra po flasim?
Në vitin 2019, rreth 15 për qind e sulmeve të motivuara nga xhihadistët në BE, u kryen nga gratë. Dhe madje edhe para kësaj, gratë luajtën një rol: për shembull, në vitin 2016 pesë gra u arrestuan në Paris, kur u përpoqën të hidhnin në erë katedralen Notre Dame. Raste të tilla shohim edhe në SHBA. Për shembull në San Bernardino të Kalifornisë, ku një grua dhe burri i saj vranë 14 persona në vitin 2015, pasi u betuan për besnikëri ndaj SHI. Në të vërtetë mund të duket e pazakontë për një grua beqare, e shtyrë nga ekstremizmi, të godasë kalimtarët në një dyqan – por në kontekstin më të gjerë të terrorit xhihadist, sulmet ndaj objektivave të butë me „armë të rastësishme“ të tilla si thika, prej kohësh kanë qenë normë në mesin e mbështetësve të SHI.
Disa javë më parë ndodhën sulme të ngjashme me thikë pranë Parisit, Nicës dhe Vjenës. A shihni paralele me Luganon?
Midis 25 shtatorit dhe 31 tetorit, vetëm në Francë, në Paris, Nice dhe Lyon kishte katër incidente terroriste. Kjo është më shumë sesa gjithë vendi që ka regjistruar për gjithë vitin 2019. Pra, pyetja është se çfarë e shkaktoi këtë rritje të sulmeve terroriste gjatë asaj periudhe. Përveç kësaj, shtrohet pyetja nëse këto sulme tani janë inkurajuese të veprimeve të imitimit. Unë dyshoj se karikatura e Muhamedit e botuar në revistën satirike „Charlie Hebdo“ në fillim të shtatorit, shënoi fillimin e sulmeve pasuese. Prerja e kokës së mësuesit Samuel Paty, i cili gjithashtu kishte treguar karikaturat e tij në klasë të Mohammedit në lidhje me lirinë e shprehjes, mund të ketë pasur një efekt galvanizues mbi islamikët e tjerë në vendet e tjera. Por është padyshim shumë herët për të nxjerrë ndonjë konkluzion në lidhje me sulmin në Lugano.
A ka më shumë sulme me thikë nga autorë individualë në Europë, pasi shërbimet e inteligjencës janë në gjendje të parandalojnë sulme serioze dhe të koordinuara?
Këtë e tregojnë të dhënat: Me një përjashtim, autorë individualë, të ashtuquajtur ujqër të vetmuar, ishin prapa sulmeve të motivuara nga terroristët midis viteve 2018 dhe 2019. Padyshim, kjo është bërë modus operandi i terroristëve, veçanërisht pasi policia dhe shërbimet e sigurisë në të gjithë Europën kanë qenë në gjendje të pengojnë planifikime më komplekse të sulmit, në të cilat ishin përfshirë disa të dyshuar.
Përse Zvicra dhe Tiçino duhet të bëhen fokus i SHI – ose: Pas të gjitha sulmeve në Europë vitet e fundit: Pse vetëm tani?
Mesazhi metaforik nga organizatat terroriste si ISIS është: nuk ka vend ku të jeni të sigurt, ne kemi mbështetësit tanë kudo dhe do t’ju sulmojmë kur dhe ku më pak e prisni. Sa më i pazakontë të jetë akti, aq më i pallogaritshëm bëhet dhe më efektiv është për terroristët. Zgjedhja e viktimave në mënyrë të rastësishme është pjesë e kësaj strategjie, ashtu si zgjedhja e vendeve publike që garantojnë shikueshmëri të lartë. Por përse Zvicra ose Tiçino u bënë një skenë krimi, tani nuk ka përgjigje të qartë. Shpesh koha dhe vendi për një sulm përcaktohet nga një autor i cili ishte frymëzuar nga SHI, por nuk është domosdoshmërisht i lidhur drejtpërdrejt me të ose madje udhëzohet nga ai. Sulme të tilla si në Lugano përcaktohen nga rrethanat, mundësitë dhe faktorë të tjerë që shkojnë përtej lidhjeve ideologjike. Për shembull, sulmuesit shpesh vuajnë nga një çrregullim mendor.
Çfarë thonë sulmet e fundit në Europë për forcën e SHI ose Al-Kaeda – dhe çfarë në lidhje me kërcënimin që ata paraqesin për Europën dhe Zvicrën?
ISIS ka humbur kalifatin e tij fizik, i cili pa dyshim e ka dobësuar shumë atë. Megjithatë, ajo mbetet një organizatë e fortë kohezive me burime të konsiderueshme të të ardhurave, mbështetës dhe mundësi në Lindjen e Mesme, Afrikën Subsahariane, Azinë Jugore dhe gjetiu. Në Europë, gjithashtu, ideologjia e tij ekstremiste është jehonë në një pjesë të shoqërisë. Në funksion të serive të fundit të sulmeve me një sfond terrorist, niveli i kërcënimit në Europë do të mbetet shumë i rritur veçanërisht tani gjatë sezonit të Krishtlindjeve dhe rreth festimeve të Vitit të Ri.
Dhe çfarë do të thotë kjo për Zvicrën?
Ashtu sikurse edhe Europa, në muajt e fundit Zvicra ka përjetuar një rritje të incidenteve terroriste. Në shtator ndodhi një arrestim në Morges VD. Kishte katër arrestime në Friburg në muajin tetor, dy arrestime në ëinterthur në lidhje me sulmin në Vjenë në nëntor dhe incidenti i djeshëm në Lugano. Këto janë tetë arrestime dhe dy sulme të dyshuara të motivuara nga xhihadistët në tre muaj. Vetëm kjo nënkupton që situata e kërcënimit për Zvicrën do të mbetet e shtrënguar për momentin.
* Adrian Shtuni jeton në Uashington, D.C., ku punon si analist i sigurisë dhe shkencëtar politik për disa grupe studimore dhe universitete. (Shtegu.com)

