Mentaz Allajbegu ka lindur me 9 gusht të vitit 1946 në Dibër. 15 vite më vonë, me familjen është shpërngulur në Shkup, aty ku jetoi deri në momentin e tij të fundit, me përjashtim të angazhimeve të kohëpaskohshme në Prishtinë dhe jashtë vendit. Hapat e parë në mundje në kryeqendrën e Shkupit, ku më pas do të arrij suksese kulmore, i bëri në vitin 1964 në klubin e Partizanit.
Në vitin 1968, pasi ka përfunduar shërbimin ushtarak, është punësuar si arsimtar në Shkollën Fillore Liria në Shkup dhe në ndërkohë, aktivizohet si trajner në klubin e mundjes Skopje. Pas një aventure të shkurtër në Bruksel të Belgjikës, Mentazi kthehet sërish në Shkup dhe angazhohet te skuadra e Skopjes dhe pas rezultateve të mëdha që i arriti me mundësit shqiptarë të kësaj skuadre, në vitin 1977, kishte vendosur që të themelojë klubin më të suksesshëm shqiptar në të gjitha trojet, klubin e mundjes Liria.
Trajneri Mentaz Allajbegu gjithashtu ka kontribuar shumë në formimin e disa klubeve sportive, duke frymëzuar e profesionalizuar sidomos basketbollistët e rinj si Enver Miftari, Shefqet Zejnullahu, Fikri Sylejmani, Riza Zeqiri – Gricka .etj në shoaqtën e sportit „Liria“ në vitin 1977. Në kuadër të kësaj shoqate ka pasur edhe ekipe të suksesshme të mundjes, hendbollit, boksit, çiklizmit etj.
Më pas, themeloi edhe një kolektiv tjetër të njohur shqiptar të mundjes, klubin e Prishtinës. Ndryshe Mentaz Allajbegu, njihet si trajner I kampionit olimpik dhe sportistit të shekullit Shaban Tërstenës, më pas, fituesit të medaljes olimpike, Shaban Sejdiu, por edhe të mundësve si Abdulla Memeti, Bajram Qorolli, Shaip Bajrami, Abaz Emini, Adnan Elezi, Agim Ejupi, Lulzim Vrenezi e shumë e shumë të tjerë. Ditët e fundit të jetës së tij, arsimtari Mentaz Allajbegu i kaloi në Shkup, ku edhe ndërroi jetë.
Në këtë ditë mbushen plot shtatë vite që nga ndarja e tij fizike, por ai do të mbetet gjallë gjithnjë në kujtimet e popullatës shqiptare si njëri ndër kontribuesit më të mëdhenj të sportit shqiptar në trojet shqiptare. I përjetshëm qoftë kujtimi për të. (E.M.)

