Çun Lajçi: Ne jemi mërgimtarë!

Date:

Çun Lajçi

Kur na i merrshit paret n’kohë lufte, ishim t’besueshëm.
Sot jo!
Hallall iu qoftë!

Ne jemi mërgimtarë!
Na quejtet kështu, që kur shkjau na i dha rrugët e largëta pa qenë kurrë. Kurrë pa e ditë se ku i bie Parisi, Berlini, Gjeneva apo Viena. Donte me na tretë, se vendi i duhej pa neve!
Na kishin thanë se atje dikund flitet gjermanisht e paret u kanë kimet. Flitet edhe frengjisht e duhet t’ua mësoni edhe gjuhët edhe ligjet edhe zakonet për nji copë rrisk.
Pare kanë boll. Lira, shilinga, franka, dojçemarka!
Vetëm duhet shtri qafën e mbyllë gojën. Më vazhdua ashtu t’bardhë, t’virgjër, t’butë, t’besës e t’punës.
Siç ishim n’arat tona, n’bjeshkët tona me bardhoka me syka me kablusha!
Djersën me derdhë e paret m’ua marrë. Me ia çua babës n’odë Dukagjini, Drenice, Anamorave, Anadrini, Llapit e Gollakut!
As harta s’patem me vete kur u nisëm me ditë se ku do t’ndalen trenat e ku autobusët!
Atëherë s’kishte aeroplana! Kohë e vjetër ishte, tani e largët edhe për mua.
I lam delet n’vatha e baballarët n’derë t’kullave. Do pika loti i lam n’gji t’nanave kur i morem ngrykë.
I lam edhe do nuse shtatzana, e s’i pamë fëmijët tue u përkundë. I gjetëm sokolana kur erdhëm n’sylah.
Ishim t’rijë për rrugët plot drita. Na thanë rrini urtë, punoni mirë e bahuni qingja për me i thithë dy nana!
Ne u zbutem aq shumë sa i gjetëm edhe do nuse plaka, për letra!
Do që i lamë tue na pritë n’qilere edhe i harruem. Do bimë na dolën n’Evropë e do bimë na u rritën n’Kosovë.
Po, ne i fituem do pare. I mësuem do gjuhë. I blemë do toka. I maruem do kulla. Por i humbem edhe do fëmijë rrugëve t’hueja.
S’i gjetëm as nanë as babë kur u kthyem. Ata vdiqën tue pritë të djegun mallit për ne.
Edhe ju sot na doni për xhepat plot!
Na queni mërgimtarë pa e dijtë se sa t’vështira i patem rrugët e sa t’përmallshëm ishim për babë e nanë, që na përcollen e s’na priten m’u kthye!
Po, ne jemi mërgimtarë edhe sot që na ftoni për do vota!
Por shpirtin na e vratë kur thatë: Duhet t’iu thërrasim n’telefon që t’iu besojmë!?
Kur na i merrshit paret n’kohë lufte, aq shumë na besojshit, sa as vërtetima s’na jepshit, as numra telefonash s’na merrshit!
Atëherë ishim mërgimtarë t’besueshëm, a po jo?
Hallall iu qoftë!

Dardani, 14.01.2021

Shpërndaj:

REKLAMOHU KËTU

1 Javë: 50€

1 Muaj: 150€

DËRGO EMAIL KONTAKT NË WHATSAPP

Më të lexuara

Lajme të ngjajshme
Related

Arbër Bullakaj merr detyrën në Këshillin Kombëtar të Zvicrës

Gjashtë anëtarë të rinj të Këshillit Kombëtar morën detyrën...

Shkaqet shëndetësore ndikuan në moderimin e gazetarit Kushtrim Sadiku

Gazetari Kushtrim Sadiku, i kërkon falje publikut për paraqitjen...

Gjashtë të vdekur nga një zjarr në një autobus në Zvicër

Një autobus postar u përfshi nga flakët në Kerzers,...