Sigurimi zviceran AXA Winterthur është sigurimi më i madh në Zvicër me mbi dy milionë të siguruar, të cilët i besojnë AXA-s. Ai mbështetet në përvojën dhe këshillat e tij në sigurimet personale, të pasurisë, të përgjegjësisë dhe të jetës, si dhe në pensionet shëndetësore dhe profesionale. AXA është kompania udhëheqëse zvicerane e sigurimeve dhe ka një vizion ambicioz: t’u japë klientëve të saj liri përtej sigurisë financiare dhe kështu t’u mundësojë atyre të bëjnë një jetë të lumtur. Falë produkteve dhe shërbimeve inovative dhe proceseve të thjeshta digjitale. Për këtë, çdo ditë janë të përkushtuar përafërsisht 4 400 bashkëpunëtorë dhe 2 800 kolegë të tjerë në 370 agjenci të përgjithshme.
Ky sigurim është një shteg për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të arrijnë sukses në jetë, ndërsa është ndër të rrallët në Zvicër, ku gjithkush me gjithkend thirret në numrin njëjës, bile edhe kryeshefin e kompanisë mund ta thërrasësh me „ti“. E pjesë e këtij sigurimi është shqiptari Robert Noshi, me prejardhje nga rrethina e Gjakovës.
Babai i Robertit në Zvicër erdhi si njëri ndër bashkatdhetarët e parë në Bernë, në vitin 1976, duke u angazhuar në një kantier zviceran si makinist. Pas kësaj, në vitin 1981 lindi djali i tij Roberti i cili mbeti nën përkujdesjen e gjyshit, por i cili e mësoi shumë gjera të rëndësishme për jetë. Në moshën 16-vjeçare, sapo kishte regjistruar shkollën e mesme (gjimnazin) në vendlindje, përmes bashkimit familjar Roberti erdhi në Zvicër dhe iu deshtë të fillonte gjithçka nga e para. Menjëherë u regjistrua në klasën e nëntë të shkollës fillore në Bernë, mirëpo pa njohur asnjë fjalë të vetme të gjihës gjermane e kishte shumë vështirë. Ajo që i ndihmonte sadpoka, ishte njohja e gjuhës angleze me të cilën merrej vesh me mësimdhënësin. Pas një kohe të shkurtër, ai transferohet në shkollën e integrimit të cilën e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm.
Në ndërkohë, ai punësohet në një garazh, që më pas të regjistrohet në një shkollë ndërmjetësuese për zejtari. Tashmë nuk kishte pengesa për Robertin, pasi ai e përvetësoi shkëlqyeshëm gjuhën gjermane dhe përfundoi shkollimin me sukses gjithnjë të shkëlqyeshëm, duke vazhduar punën si autongjyrosës në të njëjtin garazh. Në këtë mënyrë ai vazhdoi të punojë deri në vitin 2009, por gjithnjë e kishte në mendje se ai mund të arrinte shumë më tepër në jetë. Atë vit, e shoqja i tregoi se sigurimi AXA ëshët në kërkim të një bashkëpunëtori dhe Roberti nuk hezitoi fare për të konkurruar në mesin e gjashtë kandidatëve zviceranë. Këmbëngulësia e tij për të korrur sukses, pas katër herë bisedimesh dhe një pasdite të tërë të intervistimit nga sigurimi, bëri që Roberti ta fitojë këtë vend pune në një konkurrencë mjaft të fortë.
„Është një punë me përgjegjësi mjaft të madhe, pasi janë tre faktorë kryesorë për të ushtruar këtë veprimtari: Njohuria e lëndës, korrektësia dhe mundësia“, rrëfen Roberti për „Shtegu.com“. Është një përgjegjësi vërtetë e pashoqe, pasi rreth 1 400 klientë për të cilët kujdesem, asnjëherë nuk ta bëjnë të njëjtën pyetje dhe duhet të jesh i përgatitur për të gjetur mundësinë më të mirë se si t`u ndihmohet atyre.
Roberti është shumë krenar që është pjesë e sigurimit më të madh në Zvicër, por nuk i vjen rëndë të përmend edhe të arriturat e bashkadhetarëve të tjerë, duke veçuar disa bashkatdhetarë që janë në një pozitë të lartë në këtë sigurim.
„Na duhet një bashkim edhe më i madh në mes nesh, duke pasur parasysh se të rinjtë tanë tani kanë arritur suksese të mëdha në fushën e arsimimit zviceran, por që për fat të keq na përfaqëosjnë vetëm si individë të suksseshëm shqiptarë. Më brengos fakti që nuk kemi ndonjë shoqatë me persona eminentë nga fusha të ndryshme të përditshëmrisë zvicerane, në mënyrë që të shqyrtohen padrejtësitë ndaj shqiptarëve, por që edhe fjala shqipe të ketë një ndikim më të madh te zviceranët“, thotë i brengosur Robert Noshi, prind familjar i dy djemve dhe pjesë e sigurimit me qendër në Paris, një kompani e sigurimeve që tani është aktive në mbi 100 vende të botës. Korporata e aksioneve siguron individë dhe kompani private. Në Gjermani operon si Axa Group AG, në Zvicër si Axa Versicherungen AG.

