Gjatë festave të fundvitit, 35.200 persona janë shoqëruar të sigurt nëpër shtëpitë e tyre nga vullnetarët e shoqatës «Nez Rouge», me 16.800 udhëtime. Të mobilizuar kanë qenë 10,700 vullnetarë. Ky është një rekord i ri ndihmës, njoftuan përgjegjësit e shoqatës në ditën e Vitit të Ri.
Vitin e kaluar, rreth 10,000 vullnetarë shoqëruan rreth 35,000 persona me 16,000 udhëtime, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell Shtegu.com.
Ekipi i „Nez Rouge“ është i përbërë nga tre persona që I shoqërojnë të dehurit. Një person vepron si vozitës, i dyti si person shoqërues dhe „sekretar i ekipit“. Personi i tretë i ndjek ata me veturë nga „Nez Rouge“ deri në destinacion e duhur. Pastaj, ai i sjell dy kolegët përsëri në seli ose i drejton ata në mision tjetër.
„Nez Rouge“ në Zvicër ekziston që nga viti 1990, kur aksioni u krye për herë të parë në Kantonin Jura. Që atëherë, rreth 170,000 vullnetarë kanë vozitur për „Nez Rouge“ në Zvicër. Nisma për shërbimin e vozitjes vjen nga Québec në Kanada.

