Profesori universitar Izet Zeqiri ka reaguar ndaj deklaratës së zëvëndës-kryeministrit Sadulla Duraku të dhënë në emisionin Click plus. Zeqiri thotë se vetë zëvëndës-kryeministri nuk është i aftë të udhëheqë me sektorin ku është emëruar para disa muajve.
“Krejt qeveria ka 294 nëpunës shtetëror, sekretariati i M.O. çuditërisht ka 1550 nëpunës shtetërorë të punësuar, e që rrinë në shtëpi mbi 10 vite, për shkak të paaftësisë së zëvendës-kryeministrit që e udhëheq këtë sektor. Duke mos shkuar në punë nuk zhvillohen aftësitë. Menaxhimi me resurse humane në institucione nënkupton: rekrutimin, seleksionimin, vendosjen në punë, edukimin, formimin, zhvillimin, vlerësimin dhe shpërblimin e të rinjve shqiptarë, që ato të jenë të aftë dhe konkurrues me të tjerët. Këtë proces ata as në ëndërr s’e kanë parë”, shkruan profesori universitar, Izet Zeqiri.
Ndaj kësaj deklarate zëvëndës-kryeministri Sadulla Duraku u përgjigj shkurt duke thënë se profesorët duhet ta kryejnë punën e tyre që ju takon në universitet.
Ndryshe, dje reaguan edhe studentët të cilët thanë se pikërisht ata që punësohen në administratë janë të punësuar partiak. Duraku kritikoi cilësinë e arsimit në universitetet shqiptare. Ai tha se disa nga studentët e diplomuar nuk dinë të mbushin as edhe një kërkesë.
“Kur vjen kuadri jonë nuk din një kërkesë ta bëjë . Aty ku udhëheqim ne dhe neve kur na vinë në administratë dhe njerëzit që vinë në administratë vinë nga ato universitete nga ato shkolla të mesme”, deklaroi zëvendëskryeministri Sadulla Duraku.
Nga Ministria e Arsimit thonë se për ngritjen e cilësisë në arsim janë ndërmarrë hapa sikur asnjëherë më parë. Ndryshe, universitetet e Maqedonisë së Veriut edhe këtë vit nuk gjenden as në 1000 vendet më të mira sipas Listës së Shangait. Universiteti i EJL-së renditet në vendin 3.881 ndërsa Universiteti Shtetëror i Tetovës në vendin 4.912. /TV21

