Gjatë këtij viti, vetëm në Kantonin e St. Gallenit, pesë persona vdiqën në aksidente në korsinë e emergjencës
Mbrëmjen e së enjtes u shkaktua sërish një aksident i rëndë trafiku në autostradën A 13 midis Buchs SG dhe Haag, kur një 49-vjeçar u përplas në një veturë në korsinë e emergjencës, përderisa po manovronte me radion e veturës. Si rezultat, një 41-vjeçar u shtyp mes veturës së tij dhe të vozitësit tjetër që po përgatitej të tërhiqte një tjetër veturë. Personi i plagosur rëndë u dërgua në spital me një helikopter. Ai është në rrezik për jetë, siç njoftoi Policia Kantonale e St Gallenit, transmeton Shtegu.com.
Ky nuk është aksidenti i parë në korsinë e emergjencës nëpër autostradat e St. Gallenit gjatë këtij viti, me pasoja të rënda. Në fillim të prillit, vdiq një ndihmës vullnetar shqiptar 24-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, kur ai dhe një bashkatdhetar të tij 50-vjeçar, minibusi i të cilit kishte një defekt në Oberbüren SG, u goditën nga një veturë. Tre javë më vonë, edhe shqiptari tjetër 50-vjeçar ndërroi jetë. Është spekuluar se shkaku i aksidentit ishte se shkaktari i aksidentit ka qenë i zënë me celularin e tij dhe për këtë arsye i kishte anashkaluar dy shqiptarët tashmë të ndjerë, që kanë qenë duke riparuar një gomë.
Zyra e prokurorit publik në St. Gallen konfirmoi se vozitësi i aksidentit ka qenë i preokupuar me celular dhe për këtë arsye e shkaktoi aksidentin. Çështja së shpejti do të dalë përpara gjykatës.
Po ashtu në mes të gushtit u shkaktuan edhe dy viktima të tjera, në një aksident në autostradën A1 në Oberbüren SG, pasi një francez 22-vjeçar u përplas në një automjet ish ushtarak, i cili për shkak të një problemi në motor ishte ndalur në korsinë e emergjencës. Në veturë kanë qenë pesë persona të një familjeje nga Franca. Nëna (58) e vozitësit dhe gjyshja e tij (88) vdiqën në vendngjarje. Vozitësi i veturës (22) dhe e dashura e tij (21) u lënduan rëndë. Gjithashtu lëndua edhe babai (61). Aksidenti u shkaktua për shkak të mosmbajtjes në kontroll të automjetit, tha prokurori.
Nga mesi i korrikut, automjeti i një vozitësi 49-vjeçar u përplas në një furgon në autostradën A1 në Gossau SG. Si rezultat, ai u përmbys anësh. Në aksident, bashkudhëtari shqiptar 26-vjeçar mori lëndime vdekjeprurëse, vozitësi kaloi me lëndime të lehta. Furgoni ishte ndalur në korsinë e emergjencës, sepse kishte mbetur pa karburant. Në kohën e aksidentit, vozitësi kishte shkuar për të gjetur karburant.
Që gjatë këtij viti vetëm në Kantonin e St. Gallenit jetën e humbën pesë persona në korsinë e mergjencës, sipas Policisë Kantonale të St. Gallenit, është një statistikë për të ardhur keq. Edhe më tej, autostrada është rruga më e sigurt në rrjetin e transportit. Përshtatje të rregullave në lidhje me përdorimin e korsisë së emergjencës, nuk janë të nevojshme, informon më tej Shtegu.com. „Fatkeqësisht, është faktori njeri ai i cili sjell deri te aksidentet“, thotë Hanspeter Krüsi, zëdhënës i Policisë Kantonale në St Gallen.
Këtë e dëshmojnë rastet e përshkruara më lart, ku manovrimi me celular apo me radio, si dhe mosmbajtja në kontroll i automjetit çuan në aksidente. „Është e rëndësishme që të përmbahen rregullat e përgjithshme për ndalesa emergjente në korsinë përkatëse, në rast të ndonjë defekti“, thotë Krüsi. Kjo përfshin vendosjen e trekëndëshit që tregon për ndonjë rrezik në rrugë dhe ofrimin e një shërbimi profesional gjatë defektit. „Dhe patjetër të dilet nga vetura dhe të vendoseni pas barrierave mbrojtëse“. Për fat të keq, ndonjëherë ka njerëz që presin brenda në veturë apo ulen në barrierat mbrojtëse.
Edhe për veprime të tilla si një ndërrim i gomës në korsinë e emergjencës, duhet hequr dorë. „Kjo është shumë e rrezikshme. Automjete të tjera kalojnë me mbi 100 km/orë. „Për të siguruar një identifikim më të mirë të një veture të prishur, ju gjithashtu mund të telefononi në polici. „Ne mund të tërheqim vëmendjen për automjetin e palëvizshëm me drita që ndryshojnë, derisa autoshërbimi emergjent të mund ta tërheq apo ta riparojë veturën“, thotë Krüsi.

