15:56:01 2019-08-04
Koha e stinës së verës është edhe periudha e pushimeve verore, për bashkatdhetarët tanë në Zvicër. Po ashtu edhe për kosovaro-zviceranët që jetojnë dhe kanë lindur në Kantonin Valis. Në muajt e verës, ata shpesh e vizitojnë vendlindjen e prindërve.
Nëpër rrugë shihen vetura të zhurmshme me autotarga zvicerane. Nëpër bare dhe diskoteka dëgjohen zhargonizma zviceranë apo të dialektit gjerman nga Valisi, shkruan „rro.ch“, përcjell Shtegu.com. Nga më shumë se 100,000 kosovaro-zviceranë, shumica e tyre pushimet i kalojnë në vendlindjen e tyre të dytë, mu ashtu sikurse edhe Liridona, e cila jeton në Valis që nga lindja e saj: „Për pushimet verore kthehemi në Kosovë për shkak të familjes, por jo për ndonjë kohë të gjatë”, thotë ajo.
Për të, është një kthim në shtëpinë e saj. Për dy deri në katër javë, shumica e kosovarëve qëndrojnë në vendlindje për të bërë pushimet, për ta parë familjen përsëri ose thjesht për të qenë në mesin e bashkëmoshatarëve të tyre. Në një vend, ku ata zakonisht llogariten si të huaj.
„Në muajt e verës, atje ka shumë kosovaro-zviceranë, por edhe të tillë si nga Holanda, Belgjika apo Gjermania“, spjegon ajo. Shumica e tyre udhëtojnë me veturë. Për këtë, ekziston një arsye: „Transporti publik nuk funksionon siç zhvillohet në Zvicër, nuk mund të shkoni as nga fshati në qytet, gjithçka është shumë më pak e organizuar“, përcjell Shtegu.com.
Vetura garanton lëvizshmëri më të madhe. Për më tepër, linjat ajrore i kanë shtrenjtuar çmimet në masë të madhe. „Fluturimet janë bërë jashtëzakonisht të shtrenjta dhe të papërballueshme për një, kështu që shumica prej tyre duhet të ndërmarrin udhëtim me veturë prej më tepër orëve“, thotë Liridona.

