12:31:38 2019-07-30
Të dielën, më 28 Korrik, ka ndodhur një ndjekje policore në autostradën gjermane A1. Në veturë ka qenë edhe një vajzë gjashtëvjeçare e shoferit 33-vjeçar.
Pasditen e së dielës, rreth orës 12.00, zyrtarët e policisë së autostradës në A1, midis Bramsche dhe Neuenkirchen-Vörden, u përpoqën të ndalonin një veturë Renault Megane Scenic me ngjyrë të kuqe, me autotarga franceze. Vozitësi i Renault i injoroi shenjat e ndalimit dhe vazhdoi në drejtimin Bremen në A1. Para kryqëzimit Neuenkirchen-Vörden ai rrezikoi edhe vozitës të tjerë, duke i parakaluar ata me shpejtësi prej më shumë se 160 km/orë në anën e tyre të djathtë, shkruajnë mediat gjermane, përcjell Shtegu.com.
Gjatë kësaj, janë shkaktuar raste të rrezikut për aksident.
Ndjekja përfundoi në një fushë misri të korrur, ku shoferi u largua nga vetura dhe vazhdoi të arratiset në këmbë. Vozitësi e la në veturë vajzën e tij gjashtëvjeçare. Policia menjëherë i është vënë pas. Pas hetimeve fillestare, është konstatuar se vetura e tij nuk ka qenë e regjistruar dhe as e siguruar. Nëna e vajzës gjashtëvjeçare u informua për të marrë fëmijën.
Kosovari 33-vjeçar ka pasur urdhërarrest dhe ishte dëbuar në 17 korrik 2019, por si duket ishte rikthyer në Gjermani. Më pas, 33-vjeçari u arrestua dhe patenti i shoferit iu konfiskua.
Policia gjermane e autostradës i fton të gjithë ata që me këtë rast janë rrezikuar nga Renault Megane Scenic në A1 (drejtimi Bremen), të paraqiten në stacionin policor.

