BDI justifikohet me 10 vjet premtime boshe për vendkalimin kufitar Llojan-Miratoc se ka qenë mungesë e vullnetit politik mos hapja e tij prej vitit 2011, edhe pse ajo ka qenë pjesë e të gjitha qeverive. Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, i pyetur nga ALSAT, thotë se vullneti politik ka munguar si nga Maqedonia e Veriut ashtu edhe nga Serbia.
Ka pasur disa tentime në të kaluarën për të hapur këtë pikë kufitare, mirëpo ka dështuar kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit politik kryesisht andej, por në momente të caktuara edhe këndej gjatë viteve të kaluara ka qenë me arsyetimin se hapja e vendkalimit nuk është në efekt të kostos efektive. Kësaj here qasjen e kisha ndryshe. Fillimisht tentova të siguroj burimet financiare si fillim për të mbuluar strukturën bazike dhe pastaj të negocioj me palët për të ndërtuar vullnetin politik- deklaroi Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.
Propozim-marrëveshja është dërguar deri tek Qeveria serbe. Dokumentin që e ka siguruar Alsat, në nenin 12 flitet për lëvizje të kufizuar gjatë periudhës verore dhe dimërore.
Neni 12
Vendkalimi i përbashkët kufitar Llojan Miratoc nga 1 prilli deri më 30 shtator do të jetë i hapur nga ora 6:00 deri në 22:00, ndërsa nga 1 tetori deri më 31 mars, nga ora 6:00 deri në 18:00.
Osmani shton gjithashtu se vendkalimi do të jetë i kategorisë vetëm për udhëtarë.
Tani pse është pikë kufitare e kategorisë vetëm për udhëtarë, për shkak se sipas vlerësimeve tona po të ishte e kategorisë edhe për kalimin e mallrave atëherë sigurisht që do të nevojitej infrastrukturë shtesë, që sigurisht se do ta vështirësonte edhe vendimin e palës serbe për ta aprovuar një pikë kufitare të tillë. Prandaj vlerësuam për këtë kategori- shpjegoi Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.
Ditë më parë, Qeveria mori vendim për fillimin e procedurës për hapjen e vendkalimit kufitar LLojan-Miratoc, njësoj edhe për dy vendkalimeve të tjera në kufirin jugor me Greqinë. Projekti Llojan Miratocdo të financohet nga Norvegjia, ndërsa pas vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, organi ekzekutiv në Serbi duhet të vendos nëse pajtohet për një propozim të tillë ose jo. Për hapjen e vendkalimit banorët e Llojanit dhe Miratocit kishin protestuar disa herë. /Alsat/

