12:14:15 2019-01-29
Një përpjekje për vrasje ka ndodhur gjatë fundjavës në Vinschgau të Italisë. Një vozitës furgoni disa herë ka provuar ta godasë një biçiklist, kanë raportuar karabinierët italianë, përcjell Shtegu.com. Forcat e sigurisë kanë arritur të arrestojnë vozitësin shqiptar të furgonit.
Incidenti ndodhi në afërsi të Kastelbellit. Një biçiklist 40-vjeçar nga Maqedonia, ka qenë duke shëtitur me qenin e tij. Papritmas, një furgon e godet 40-vjeçarin nga prapa me shpejtësi të lartë dhe e hodhi përtokë. Ajo që fillimisht dukej si një aksident i rëndomtë, doli të jetë një çështje shumë më serioze, sipas një raporti të lëshuar të hënën.
Vozitësi i furgonit ndryshoi sërish drejtimin e tij dhe u orientua nga biçiklisti i lënduar, i cili tashmë ishte përkujdesur nga një vozitës tjetër në afërsi. Furgoni sërish e goditi lehtë biçiklistin 40-vjeçar dhe gjithashtu dëmtoi edhe veturën e ndihmësit, përcjell Shtegu.com. Pasi vozitësi i furgonit, 40-vjeçarin e goditi shumë lehtë gjatë përpjekjes së dytë, ai u kthye përsëri për t`iu vërsulur biçiklistit. Pasi maqedonasi arriti të strehohej pas veturës, vozitësi i furgonit u arratis nga vendngjarja.
Rreth 20 minuta më vonë, forcat e rendit arritën të ndalonin furgonin.Vozitësi i tij, një shqiptar 42-vjeçar, nuk e mohoi veprën. Ai u arrestua dhe u dërgua në burg në Bolzano. Tani ndaj tij është ngritur akuzë për veprën penale „përpjekje për vrasje“.
Maqedonasi 40-vjeçar ka pësuar lëndime të ndryshme në krahë dhe këmbë, si dhe në kokë. Por, jeta e tij nuk është në rrezik.

