
Miq e dashamirës, projekti i mini-Shengenit është një katastrofë kombëtare në kohë paqeje, që është e paprecedentë në historinë e shqiptareve dhe sigurisht në këto 108 vjet shtet të Shqipërisë dhe 20 vjet të Kosovës.
Për faj të Shqipërisë, ose më saktë të Edi Ramës dhe politikës shqiptare që e mbështet, shqiptarët do të marrin një goditje katastrofike. As sikur të kishim humbur ndonjë luftë me Serbinë, nuk do të ishin të pranueshme si kushte paqeje këto dëme të pashembullta, që i shkaktohen shqiptarëve.
Edi Rama dhe gjithë politikanët që e mbështesin janë duke dërguar në humnerë jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë, të cilët qeverisin, por gjithë shqiptarët në trojet etnike.
Edi Rama përfitoi nga gjendja e vështirë psikologjike e shqiptarëve prej tërmetit, duke abuzuar me solidaritetin kombëtar, për të goditur shqiptarët në fillim me ligjin kundër fjalës së lirë dhe së dyti me takimin e mini-Shengenit, i cili duhej të ish anulluar dhe mosmbajtur më kurrë.
Kemi renditur këtu 10 dëmet kryesore, por numri i dëmeve të dorës së dytë është i shumëfishtë.
10 dëmet kryesore:
1- Prapëson me 10 hapa njohjen e statusit sovran të Kosovës prej Serbisë
2- Komuniteti ndërkombëtar merr konfirmimin që Shqipëria dhe Kosova nuk kanë interes të përbashkët kombëtar, cka mund të sjellë tërheqje të tjera të njohjeve të Pavarësisë së Kosovës
3- Legjitimon Zaevin e këdo politikan sllav të Maqedonisë të ndjekë politikat antishqiptare të deritashme
4- Shteti i Shqipërisë braktis përfundimisht idenë dhe projektin e bashkimit kombëtar
5- Cdo projekt euro-atlantik i Shqipërise dhe Kosovës kalon nga miratimi i Serbisë ( Vucici nuk humbi kohë, por përfaqësoi Tiranën dhe Shkupin në takimin me Makronin)
6- Serbia nga shtet i mundur në luftërat e viteve 90′ shndërrohet në shtet lider ballkanik
7- Ekonomia e Shqipërisë dhe Kosovës do të goditet nga mallrat e skaduara serbe dhe nga fokusi rajonal i investimeve të huaja që do të shkojnë në Serbi
8- Serbia arrin paqësisht ëndrrën për të dalë në Durrës, porti i vetëm i madh i Adriatikut shqiptaro-malazez
9- Shqipëria dhe Kosova nëpërmjet deficitit në tregtinë me Serbinë do të dërgojnë valutë në Serbi, me të cilën Serbia si gjithnjë do të blejë armatime ruse kundër shqiptarëve
10- Shqipëria dhe Kosova me rritjen e ndikimit ekonomik serb do të rrezikojnë të kalojnë në sferën ruse të ndikimit

