Xhamia e Gjin Aleksit atraksion për turistët e huaj në Shqipëri
Xhamia e Gjin Aleksit është një xhevahir i arkitekturës edhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Ajo ndodhet në fshatin Rusan të Delvinës dhe është ndërtuar rreth viteve 1600, mbi rrënojat e një kishe me stil bizantin, ndërsa u pagëzua sipas një të krishteri që u konvertua në Islam – Aleks. Objekti është monument kulture i kategorisë së parë. Është një nga objektet që përmban gërshetim kulturash duke filluar nga ajo vendase, postbizantine e deri otomane.
Xhamia me një kupolë ndodhet në qendër të fshatit dhe përbëhet nga një hajat i hapur, në pjesën e përparme i mbuluar me dru, salla katrore e lutjeve dhe një minare e ulët prej guri. Salla e lutjeve ka dimensione tetë me tetë metra, informon Shtegu.com. Kupola mbështetet në një tambur tetëkëndësh. Ndërtesa është bërë prej guri, ndërsa janë edhe disa gropa në mure ku ka enë balte. Besohet se kjo ka ndikuar në akustikën e veçantë në xhami.
Xhamia e Gjin Aleksit në Rusan të Delvinës është pjesë e një kompleksi me një çezmë monumentale dhe katër tyrbe brenda oborrit të xhamisë. Ajo përbëhet nga salla e lutjeve me minaren dhe portikun në anën veriore.
Ajo është funksionale dhe frekuentohet nga besimtarët për kryerjen e riteve fetare.
Është gjithashtu një nga adresat më të vizituara nga turistët në Jug të Shqipërisë.