22:29:55 2016-07-05
Në Winznau të Solothurnit në Zvicër, pak pas orës 15.30 h të së hënës, janë dëgjuar të shtëna armësh. Policia ka arrestuar një person, ndërsa është duke hetuar ndaj të dyshuarve të tjerë.
Pasditen e së hënës, në Winznau SO është vrarë një person me armë zjarri. «I dëgjuam dy të shtëna, ndërsa pak më vonë, dy persona u arratisën të veshur me tuta», ka pohuar një dëshmitar për „20 Minuten“, njofton „Shtegu.com“. Sipas një deklarate të policisë kantonale të Solothurnit, të shtënat janë dëgjuar në një shtëpi në Gösgerstrasse, pak pas orës 15.30, në ëinznau. Policia është duke punuar në ndriçimin e rastit, kurse rreth shtëpisë në Winznau janë pozicionuar forca policore dhe ekipe të shpëtimit.
Sipas një banoreje në afërsi, dy të dyshuar janë kthyer sërish në shtëpi dhe më pas janë arratisur me një valixhe sportive dhe një të Migrosit. «Asnjëherë më parë nuk i kisha parë dy personat në fjalë. Gjatë mbrëmjeve shihej një dritë dhe ajo ka qenë e banuar“, ka pohuar banorja. Një fqinj tjetër ka deklaruar se nuk ka pasur kontakt me banuesit e kësaj shtëpie, por se ka parë njerëz duke hyrë e duke dalë nga shtëpia. Ata nuk kanë folur gjermanisht dhe asnjëherë nuk kishte dëgjuar zënka mes tyre.
Sipas një dëshmitari të rastit, policia zvicerane më vonë ka arrestuar një person të dyshuar në afërsi të urës Aarebrücke, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë, Thomas Kummer. Ende nuk ka të dhëna për identitetin e të vrarit, por gjatë mbrëmjes priten informata më të hollësishme.
Nga ana tjetër, nga gazeta „Bota Sot“, shkruajnë se personi i vrarë është një shtetas i Kosovës, i cili është vrarë mbrëmë në Zvicër nga një italian.
Arben Gashi, 32-vjeçar, nga fshati Nekoc i Drenasit, dyshohet të jetë vrarë gabimisht, pasi në shtëpinë e tij ka jetuar më herët një serb, i cili mësohet të ketë pasur probleme me italianin.
Gashi është vrarë me tre plumba, përderisa ai po pastrohej në banjë, teksa autori i vrasjes ka menduar se aty ndodhej serbi me të cilin ai kishte probleme.
Italiani, i moshës 38-vjeçare, është arrestuar nga policia, dhe e ka pranuar vrasjen, e cila ka ndodhur në pasditen e 4 korrikut, përfundon artikullin „Bota Sot“.

