Vëllezërit nga Maqedonia shkojnë pas kamariereve të reja, përfundojnë në Gjykatë
12:51:26 2016-11-27
Ka qenë një mbrëmje gushti e vitit të kaluar. Një të punësuari në Hekurudhat zvicerane, në Brugg i kishte rënë në sy një veturë pa autotarga. Përpos kësaj, në hapësirën e hekurudhës, ai ka parë një kontejner të hapur me një zinxhirë bakri, në një vlerë prej dhjetë mijë frangash zvicerane, gjysma e të cilit ka qenë e tërhequr jashtë.
Pasi janë hetuar, personat janë larguar me shpejtësi marramendëse. Zvicerani menjëherë u vihet prapa dhe arrin t`i vërejë ata duke i vendosur autotargat në veturë. Ai i shënon numrat e autotargës dhe menjëherë e alarmon policinë, e cila pas pak kohe i arreston vëllezërit shqiptarë nga Maqedonia, Demirin dhe Ardianin.
Që të dy vëllezërit kanë dalë para trupit gjykues në Gjykatën rajonale të Bruggit, të ulur në një distancë të vogël në mes vete. Ardiani është akuzuar për „përpjekje për plaçkitje“ dhe „prishje të rendit publik“, ndërsa Demiri për „prishje të rendit publik“, „kontrollim jo i mjaftueshëm i veturës“ dhe „vozitje pa autotarga“. Por, para Gjykatës, që të dy vëllezërit e kanë mohuar veprën.
Demiri dhe Ardiani janë vëllezër, shkruan „Oltner Tagblatt, njofton „Shtegu.com“. „Kemi një raport të shkëlqyeshëm“, ka pohuar Demiri pas pyetjes së parashtruar nga gjykatësja Franziska Roth. Ndërsa, Ardiani nuk flet shumë, pasi të gjitha ia lë vëllait. Që të dy vëllezërit janë rritur në Maqedoni, por shkollimin e mëtutjeshëm e kanë vijuar në Zvicër, të cilin nuk e kanë përfunduar. Demiri është duke punuar tashmë gjashtë javë si magazinier, ndërsa Ardiani qe shtatë vite si vozitës elevatori.
„Donim të shkonim në një lokal shqiptar, pasi na kishin thënë se kanë ardhur disa kamariere të reja. Ishim kurreshtarë t`i shohim dhe u nisëm për atje“, pohon Demiri. Por, me këtë rast, ata e kishin gabuar rrugën duke u futur në hapësirën e Hekurudhave zvicerane. „Lokali gjendej ballëpërballë, por ne nuk e dinim dhe u ngatërruam“, vazhdon ai më tej. Më pas kanë shkuar te stacioni trenit në Brugg ku kishin vërejtuar se autotargat u kishin rënë.
Në mungesë të fakteve, Gjykata i liroi nga akuzat të dy vëllezërit shqiptarë.