Vajzat si „mallkim“ në Ballkan

87 Lexime

Gratë janë një barrë e rëndë për familjen, ndërsa meshkujt konsiderohen si shtylla – është një këndvështrim i përbashkët i vendeve të ndryshëm në Ballkan. Kjo, jo vetëm që shkakton pasoja fatale për nënat dhe të bijat, por edhe për gjithë popullatën.
Drita e fshehë fytyrën e saj me duart që i dridhen. Është nënë e tre vajzave dhe sapo ka mësuar se përsëri është shtatzanë me një vajzë. Një gabim i pafalshëm në Ballkanin patriarkal, ku në mënyrë të qartë, djemtë janë më të dëshiruar. Tridhjetenjëvjeçarja përshpërit disa fjalë të pakuptueshme, por shumë shpejt heshtet nga e vjehrra, Sanija. „Vajza e katërt, ky është një mallkim. Ose duhet të abortojë, ose nuk ka vend tek ne“, deklaron Sanija, duke i dorëzuar disa banknota një mjeku të një klinike private në Tiranë. „Aborti selektiv i fetusit femër në Shqipëri dhe disa shtete të Ballkanit është shumë i përhapur, përpos faktit se është i ndaluar“, deklaron për „n-tv.de“, Rubena Moisiu, një udhëheqëse e një reparti gjinekologjik në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në perëndim të Maqedonisë, përskaj 100 vajzave, lindin rreth 110 foshnje të gjinisë mashkullore, deklaron Christophe Guilmoto nga Instituti hulumtues francez për zhvillim(IRD). Ky çekuilibër tashmë vite të tëra është stabil, ndërsa shkalla normale biologjike duhet të jetë 105 meshkuj në 100 vajza. Në popullatën shqiptare prej gjithsej 2,8 milionë banorëve, 31.000 gra janë më pak se meshkuj. Dhe krejt kjo, kur meret parasysh se shumë burra kanë dalë jashtë vendit për të punuar. „Edhe në Mal të Zi vërehet dukuria e përzdhedhjes së gjinisë së foshnjes“, deklaron Maja Raiçeviç nga Qendra për të drejtën e gruas në Podgoricë. „Gjatë viteve të kaluara, në 8.000 lindje janë regjistruar 800 foshnje të gjinisë mashkullore më shumë se sa të gjinisë së kundërt“, pohon Olivera Miljanoviç nga Qendra mjekësore gjenetike kombëtare. Rezultati i kësaj: Në vend „mungojnë“ tre mijë gra të moshës reproduktive. „Foshnjet e gjinisë mashkullore, thjeshtë, në Ballkan janë `më të mirëseardhura` se sa gjinia tjetër“, deklaron antropologia Afërdita Onuzi. Për këtë, gratë janë gjithnjë nën presion masiv që patjetërsisht të lindin pasardhës meshkuj. Edhe ekspertë të tjerë dëshmojnë se gratë vlerësohen vetëm si barrë, ndërsa meshkujt si shtyllë e familjes. Në Ballkan, aborti është legal deri në muajin e dhjetë, në disa vende edhe deri në muajin e dymbëdhjetë, pra deri në momentin kur nuk është e njohur gjinia e foshnjes. Për ta anashkaluar ligjin, shumica e grave abortojnë nëpër klinikat private apo mjekë të cilët aspak nuk janë të autorizuar. „Ka raste kur gjatë kësaj, shumë gra edhe kanë humbur jetën. Megjithatë, askush nuk guxon të flasë, nga frika e krijimit të armiqësive. Por, bëhet fjalë edhe për shumë të holla“, përfundon Fetije Këpuska, gjinekologe nga Prishtina.