Skandaloze: Muzicientit kosovar i merret patenta e shoferit pasi ka pirë një Red Bull
11:40:36 2017-11-02
Muzicientit kosovar Adnan Mursula (34) me të padrejtë iu është konfiskuar patenta e shoferit për 20 ditë me radhë nga policia zvicerane. Policia ka dyshuar se ai ka vozitur nën ndikim të lëndëve narkotike, por një raport toksikologjik e ka demantuar. Tani, Adnani dëshiron të dëmshpërblehet, por gjasat e tij janë të vogla.
Kosovari Adnan Mursula, më 20 shtator të këtij viti është dashur ta dorëzojë patentën e shoferit në Biberist të Solothurnit, pasi gjatë një kontrolli të shpejtë për konsumim të drogës nga policia, është dëshmuar se ka qenë nën ndikim të amfetaminës. Para syve të bashkëshortes dhe të birit, ai është dashur ta dorëzojë patentën e shoferit dhe më pas është dërguar në spital për kontroll të gjakut. „Mënyra ishte poshtëruese. Përse?! Vetëm se kam pirë një Red Bull“, pohon Adnani për të përditshmen zvicerane „Blick“, përcjellë „Shtegu.com“!
Muzicienti kosovar, i cili ka bashkëpunuar me DJ Sir Colin dhe Johnny Strange nga bendi gjerman „Culcha Candela“, nuk ka pasur të drejtë të drejtojë veturën. „Kjo ndikoi shumë në buxhetin tim, pasi si muzicient rregullisht më duhet vetura“, ka vazhduar më tej Adnani.
Peripecitë e tij filluan pas kontrollit policor, me ç`rast ai është dashur të organizojë ndokend për të vozitur bashkëshorten dhe fëmijën. Njëzet ditë pas konfiskimit të patentës, më në fund i vjen raporti negativ i testit të gjakut dhe atij i kthehet e njëjta. „Habitem se si ndodhi e gjithë kjo. Po të kisha konsumuar lëndë narkotike, shteti do të më dënonte me gjobë të lartë. Tani unë kërkoj dëmshpërblim, bile vetëm simbolikisht, por diçka që do të dëshmojë se atyre u vjen keq që më etiketuan si konsumues të drogës“, pohon Adnan Mursula.
Gjasat për dëmshpërblim janë të vogla pasi shuma e dëmshpërblimit do të ishte pothuajse e barabartë me shpenzimet për procesin gjyqësor. Nga ana tjetër, policia zvicerane nuk e sheh të arsyeshme të kërkojë falje, pasi gjatë kontrollit të shpejtë është i mundur ndonjë gabim. Adnani sipas saj, në atë moment ka shfaqur shenja të nevrikosjes dhe deri në rezultatin përfundimtar të kontrollit nuk ka pasur të drejtë të vozitë. Të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion trajtohen njëjtë. (Shtegu.com)