Shumë ministri s’e njohin gjuhën shqipe!

90 Lexime

Opsioni i komunikimit edhe në gjuhën shqipe në shumë ministri jo vetëm që nuk është shtuar, por disa prej tyre e kanë hequr. Arsyetimi është se komunikojnë vetëm në gjuhën zyrtare – në maqedonisht. Shqipja, krahas anglishtes, është prezente në ato ministri që drejtohen nga shqiptarë, por ka edhe raste në institucione që drejtohen nga një ministër maqedonas

Evis HALILI

Faqet elektronike zyrtare të gati gjysmës së numrit të përgjithshëm të ministrive vazhdojnë të mos e përdorin publikimin e materialeve të ndryshme informative edhe në gjuhën shqipe. Disa prej atyre që e kanë pasur më parë një të tillë e kanë hequr, madje tek disa ministri, si ajo e Punëve të Brendshme dhe të Jashtme, Kulturës, Informatikës, Shëndetësisë, nuk figuron as edhe formalisht ikona për gjuhën shqipe. Pavarësisht obligimit për të komunikuar me qytetarët edhe në gjuhën shqipe, por edhe të një marrëveshje mes partnerëve të koalicionit qeverisës për përdorimin e gjuhës shqipe nëpër faqet elektronike, asgjë nuk ka ndryshuar pozitivisht në shumë prej këtyre institucioneve. Edhe pse, sipas ndryshimeve më të fundit ligjore lidhur me përdorimin e shqipes, “çdo qytetar në komunikim me ministritë, mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari”. Por një gjë e tillë nuk respektohet edhe disa vjet pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve ligjore, madje edhe në këtë formë komunikimi më elementare me qytetarin siç janë faqet elektronike, përmes të cilave konkurrohet dhe aplikohet në konkurse e projekte të ndryshme, bëhen kërkesa, ankesa e kështu me radhë. Nga disa ministri pohojnë se nuk planifikojnë ndryshime të tilla, ndërsa arsyetimi kryesor është mospasja e një detyrimi për ta bërë një gjë të tillë, por ka edhe raste kur mungesa e opsionit në gjuhën shqipe justifikohet me pengesa teknike e të tjera. Nga gjithsej 15, vetëm shtatë ministri kanë një version në gjuhën shqipe, varësisht përkatësisë etnike të ministrit. Në ato të Drejtësisë, Arsimit dhe Shkencës, Ekonomisë, Pushtetit Lokal, Mjedisit, versioni në shqip është thuajse prezent në çdo lloj informacioni, ndërsa në ministri të tjera, si Mbrojtja, Bujqësia…, informacionet në gjuhën shqipe janë shumë të cunguara. Në dikastere të tjera ku gjuha shqipe që u hoq me largimin e ministrit përkatës shqiptar, nuk figurojnë as edhe ikonat që tregojnë opsionin edhe në këtë gjuhë. Në Ministrinë e Mbrojtjes, ku versioni në shqip u vendos pas emërimit të dy ministrave shqiptarë – Fatmir Besimi dhe Talat Xhaferi, tani informacionet në gjuhën shqipe janë më të pjesshme. Ngjashëm është edhe me Ministrinë e Bujqësisë, në të cilën informacione në gjuhën shqipe kanë të bëjnë vetëm me artikuj këshillues për bujqit dhe blegtorët. Ministritë që nuk kanë ndryshuar asgjë për vite me radhë, janë ato të Punëve të Brendshme dhe të Jashtme, Kultura, Informatika, Financat e të tjera. Në MPB thonë se faqen zyrtare e kanë në gjuhën zyrtare – në maqedonisht, ndërsa për shtimin e opsioneve në gjuhë të tjera, në shqip apo anglisht, nuk planifikojnë për momentin. Edhe në Ministrinë e Kulturës kanë një përgjigje të ngjashme. Mundohen ta mirëmbajnë me përditësimin e informacioneve të ndryshme, por vetëm në gjuhën zyrtare, në maqedonisht. Nga Qeveria, ku edhe vetë faqja e saj elektronike është vetëm në maqedonisht dhe anglisht, nuk japin asnjë lloj komenti. Edhe pse disa kohë më parë në Qeveri po shqyrtohej një iniciativë, sipas së cilës, gjuha shqipe dhe përdorimi i saj do të ishte e obligueshme nëpër ministri e të tjera dikastere në varësi dhe në përbërje të ekzekutivit. Një gjë e tillë duhej të realizohej përmes një urdhërese për përdorimin e shqipes konform suazave ligjore. Ligji për përdorimin e shqipes, që prej miratimit në Parlament, vazhdon të jetë një prej më të komentuarve dhe objekt i konfrontimeve mes subjekteve politike. Një prej shkaqeve kryesore është se formulimi i tij nuk garanton përdorimin e shqipes në suazat e duhura, por sipas preferencave.

VETËM NË MAQEDONISHT:
Ministria e Shëndetësisë
Ministria e Kulturës
Ministria e Punëve të Brendshme
Ministria e Transportit

MAQEDONISHT – ANGLISHT
Ministria e Punëve të Jashtme
Ministria për Shoqëri Informative dhe Administratë publike
Ministria e Financave
Ministria e Punës dhe Politikës sociale

SHQIP-MAQEDONISHT-ANGLISHT
Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Pushtetit Lokal
Ministria e Ekonomisë
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Ekologjisë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Ministria e Bujqësisë

Koha.mk