Shtetasi maqedonas ka dashur ta bëjë „mish të grirë“ kundërshtarin

45 Lexime

21:22:19              2016-11-03

 

 

 

 

 

Gjykata dyshon se i akuzuari ka mundur t`i shkaktojë viktimës lëndime të rënda në kokë, ndërsa tentimin e kërcënimit e ka justifikuar si provë.

 

 

 

Të enjten e kaluar, para trupit gjykues në Gjykatën e rrethit në Toggenburg të Zvicrës, është dashur të përgjigjet një shtetas maqedonas. Ai ishte akuzuar për veprën penale „shkaktim të lëndimeve të rënda trupore“. Sipas Prokurorisë, pas një zënke me udhëheqësin e ndërrimit në vendin e punës, shtetasi maqedonas e ka goditur këtë të fundit me një objekt të fortë në kokë nga prapa, duke ia thyer kafkën.

 

 

 

Rasti, i cili nuk është vëzhguar nga ndonjë dëshmitar, ka ndodhur në fillim të shtatorit të vitit 2013, në zonën industriale të Toggenburgut. Me këtë rast, shtetasi maqedonas e kishte kërcënuar kundërshtarin se nga ai do të bënte mish të grirë. Për këtë, ai ishte akuzuar edhe për kërcënim, por përpjekja për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore ka qenë akuzë më me peshë, shkruan „Toggenburger Tagblatt“, njofton „Shtegu.com“.

 

 

 

Pala mbrojtëse ka kërkuar lirimin nga akuza në mungesë të provave, ndërsa Gjykata e ka pranuar heqjen e akuzës për „shkaktim të lëndimeve të rënda trupore“, pasi viktima nuk e kishte parë sulmuesin. Por, ka qenë e mundur që lëndimi të jetë shkaktuar edhe pa ndikimin e ndonjë personi tjetër, pasi paraprakisht, ai kishte përjetuar një aksident me motoçikletë.

 

 

 

Nga ana tjetër, Gjykata e shpalli fajtor shtetasin maqedonas për veprën penale „tentim për kërcënim“, pas provave të menaxherit të firmës, pasi shtetasi maqedonas nuk i kishte shkaktuar frikë apo tmerr kundërshtarit me një fjali të shqiptuar.

 

 

 

Për këtë, Gjykata e ka dënuar të akuzuarin me dënim në të holla me kusht, me 20 mëditje prej 70 frangash zvicerane, për një periudhë prej tre vitesh. Edhe gjatë vitit 2012, shtetasi maqedonas ishte dënuar në të njëtën mënyrë për shkak të „shkaktimit të lëndimeve trupore“. Duke i përmbledhur të dy dënimet, ai do të duhet të paguajë gjithsej rreth 7.400 franga.