Shpërthimi në Bolzano të Italisë, shqiptari 34-vjeçar mbetet në gjendje kritike

44 Lexime

Më shumë se një javë pas shpërthimit në fabrikën e aluminit në Bolzano, shqiptari 34-vjeçar mbetet në gjendje kritike në spitalin e Veronës: vetëm gruaja e tij lejohet ta vizitojë në reanimacion. E rëndë është edhe gjendja e tre kolegëve të tjerë të djegur rëndë

Në Verona është zhvendosur edhe 39-vjeçari nga Senegali. Fillimisht ai u trajtua në spitalin e Bolzanos, por ashpërsia e plagëve e bëri të nevojshme transportimin e tij në qendrën e specializuar për djegiet e mëdha.

I treti, kryepunëtori 48-vjeçar, ende po lufton për jetën në Milano. Gjendja e tij mbetet shumë e rëndë: 50 për qind e trupit të tij ka djegie të shkallës së dytë dhe të tretë. Thuhet se ai reagon pozitivisht ndaj terapive të administruara.

Më i riu nga punëtorët e plagosur, 25-vjeçari nga Senegali, u dërgua në Murnau të Bavarisë, shkruan „Stol“, transmeton portali Shtegu. Gjendja e tij është e rëndë por stabile.

Tuniziani 27-vjeçar, i cili po kujdeset në spitalin e Bolzanos, është në shërim. Ai së shpejti mund të dëgjohej nga hetuesit. Dëshmia e tij, së bashku me pamjet e vëzhgimit me video, do të jenë vendimtare në rindërtimin e asaj që ndodhi në fabrikën e aluminit atë natë.

Fonderia ku punonin 6 personat është konfiskuar. Të dielën, 500 njerëz morën pjesë në një shërbim përkujtimor për t’i dhënë lamtumirën Bocar Diallo, punëtorit senegalez që vdiq nga plagët e rënda pas zjarrit në fabrikë.