Shkalla e vetëvrasjeve në burgjet zvicerane është e lartë

15 Lexime

Më shumë se një milion njerëz në vitin 2022 u burgosën në Europë. Në raport me popullsinë e saj, Zvicra kishte më pak të burgosur se mesatarja. Megjithatë, shkalla e vetëvrasjeve në burgjet zvicerane ishte mbi mesataren

Mesatarisht, në vitin 2022, 20.2 të burgosur nga 10 000 kryen vetëvrasje në burgjet zvicerane, sipas një raporti të Këshillit të Europës për popullsinë e të burgosurve të botuar të enjten. Në Europë, kjo shifër ishte 5.3. Vetëm Letonia (21.7) kishte një shkallë më të lartë të vetëvrasjeve midis të burgosurve.

Raporti, i hartuar çdo vit nga Universiteti i Lozanës në emër të Këshillit të Europës, trajton të dhënat në lidhje me të burgosurit në Europë. Ai bazohet në raportet e autoriteteve të burgjeve në 45 shtete europiane, transmeton portali Shtegu. Vetëm autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk dhanë shifra.

Sipas Këshillit të Europës, në fund të janarit 2023, 1 036 680 njerëz ishin pas hekurave në Europë, ose 124 njerëz për 100 000 banorë. Kjo shifër ishte më e larta në Turqi (408), pastaj në Gjeorgji (256) dhe Azerbajxhan (244). Zvicra kishte 73 të burgosur për 100 000 banorë.

Pak më shumë se një në katër të burgosur në Europë ishte me kombësi të huaj, vuri në dukje Këshilli i Europës. Kjo vlerë ndryshon shumë nga një vend në tjetrin. Kështu, do të ishte më e ulët në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore sesa në pjesën tjetër të Europës. Kjo përkon me lëvizjen natyrore të popullsisë evropiane nga Europa qendrore, juglindore dhe lindore në Europën perëndimore, jugore dhe veriore. Sipas dokumenteve, kjo normë ishte 71% në Zvicër, e dyta më e lartë në mesin e vendeve me më shumë se 500,000 banorë.