Romët ndjehen të diskriminuar në Kumanovë

58 Lexime

Në foto: Sebastijan Kurtishi

 

Ai i cili vjen nga Maqedonia në Gjermani, pothuajse asnjëherë nuk do ta fitojë statusin e refugjatit. Kjo, pasi Qeveria federale gjermane e ka shpallur këtë vend të vogël ballkanik si vend i sigurt i prejardhjes, në të cilin as që mund të bëhet fjalë për përndjekje politike. Për këtë, nuk mund të bëhet fjalë për shkaqe të arratisjes. A ëshë vërtetë aq thjeshtë?

 

 

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, mbi 5 mijë shtetas maqedonas kanë ardhur në Gjermani, ndërsa pothuajse të gjithë i takojnë popullatës rome, njësoj sikurse edhe çifti bashkëshortor, Metovski.

 

 

Në një banesë përdhese në qendër të qytetit Aachen, tashmë dy muaj jetojnë Eminja (35) dhe Eduardi (36) së bashku me fëmijën e tyre katërvjeçar. Pak pas arritjes në Gjermani, më 15 qershor, kësaj familje i ishte gjetur një banesë me qira nga komuna.

 

 

„Vërtetë na erdhi rëndë ta lëshojmë vendlindjen. U d^etyruam t`i lëmë të gjitha atje: Familjet, miqtë dhe punën“, rrëfen Eminja. Megjithate, çifti bashkëshortor ishte i detyruar t`ia kthejë shpinën Kumanovës, qytetit të tretë për nga madhësia në Maqedoni. Vallë, përse? „Thjeshtë, nuk mund të duronim më që të trajtohemi në mënyrë permanente padrejtësisht si romë“, vazhdon Eminja.

 

 

Ajo dhe bashkëshorti i saj, aspak nuk i përshtaten paramendimit të „ciganëve“ siç i quajnë edhe aktualisht shumica e gjermanëve, për shkak të famës së tyre si endacakë, si lypës, apo si refugjatë ekonomikë të cilët në Gjermani vijnë vetëm sa për të përfituar nga ndihmat sociale. Jo, jo, Eminja dhe Eduardi janë persona të rinj e të vetëdijshëm. Që të dy kanë kryer gjimnazin dhe që të dy janë të kualifikuar në profesionet e tyre. Eminja kishte punuar si laborante teknike e medicinës, ndërsa Eduardi ka qenë 15 vite me radhë në një njësi speciale teknike ushtarake në armatën e Maqedonisë. Në krahasim me shumicën e romëve nga Maqedonia, ky çift nuk e kishte problem statusin social.

 

 

Eminja më pas rrëfen se si në shkollë gjithnjë është dashur të mësojë shumë më tepër se bashkëmoshataret e saj në mënyrë që të marrë ndonjë notë të mirë, ndërsa arsimtarët gjithnjë e kishin detyruar të ulet në radhën e fundit të klasës.
Edhe Eduardi ka rrëfyer për peripecitë që i janë paraqitur gjatë kualifikimit profesional, duke i kërkuar 5 mijë euro për të marrë një gradë më të lartë ushtarake, të holla të cilat ai do të duhej të punonte për 18 muaj me radhë.

 

 

Me vite të tëra, Eminja ka qenë e angazhuar në një organizatë joqeveritare për të ndihmuar romët. Ajo dhe bashkëshorti i saj rrëfejnë se romët në Maqedoni janë të diskriminuar që nga foshnjorja e deri në institucionet më të larta shtetërore. Edhe më tej policia maqedonase i sulmon romët. Romët e rinj „rrahen në mënyrë preventive“ si hajna të mundshëm, ndërsa femrat e reja shpeshëherë janë të detyruara në prostitucion nga forcat e sigurisë, shkruan „Aachener Nachrichten“, përcjellë „Shtegu.com“.

 

 

Për shqetësime shtesë nëpër lagjet rome, përkujdeset edhe e kaluara e afërt e zhdukjes së fëmijëve. Dyshohet se pas kësaj ekziston një grup mafioz, i cili i rrëmben fëmijët romë, i vret dhe më pas, organet e tyre i shet në Perëndim. „Shumica e romëve kanë frikë që fëmijët e tyre t`i lënë rrugëve. Policia ka njohuri për zhdukjen e tyre, por si duket nuk është edhe aq e angazhuar në këtë drejtim, pasi deri më tani ende nuk është sqaruar asnjë rast i vetëm“, ka deklaruar Eduardi.

Me vite të tëra, Eminja në Maqedoni kishte luftuar kundër këtyre rjedhave. Asnjëherë nuk kishte dashur të jetë viktimë, por ajo ishte angazhuar me besim të madh për emancipimin e romeve. Një gjë të tillë, nuk mund t`ia ofrojë edhe fëmijës së saj, pasi djali i saj katërvjeçar është i paaftë, vuan nga autizmi. „Nuk gjetmë dot përkrahje dhe përkujdesje mjekësore për fëmijën tim dhe ky ishte shkaku kryesor për arratisjen time në Gjermani“, thotë ajo.

 

 

Çifti bashkëshortor u orientua për në Aachen, pasi këtu u ndihmoi kryetari i Shoqatës së romëve në rrethinë, Sebastijan Kurtishi, duke i udhëzuar deri te një institucion i cili përkujdeset për fëmijët autistë. Ai kishte ardhur në jermani para 27 vitesh si refugjatë nga Maqedonia. Aktualisht, ai është një afarist i suksesshëm. „Diskriminimi i romëve në Maqedoni është aq i madh, sa që te shumica e tyre shkakton një varfëri të skajshme e të rrezikuar për jetë“, deklaron Kurtishi duke theksuar Konventën e refugjatëve të Gjenevës.

 

 

Eduardi dhe bashkëshortja Eminja, në fund theksojnë se qëllimi i tyre është që të integrohen në Gjermani.