Pyet Gjermania: Vallë ku gjendet tani foshnja shqiptare me emrin Germana

73 Lexime

Tetë muaj pas rrëzimit të murit të Berlinit, në Shqipëri ende qeveriste regjimi komunist. Pas kësaj, diplomatët gjermanë morën iniciativë dhe mijëra shtetasve shqiptarë u ofruan strehim në kopshtin e Ambasadës gjermane.
Në atë kohë, Ervis Gega ishte vetëm gjashtëmbëdhjetëvjeçare, kur në fillim të korrikut të vitit 1990, mijëra shqiptarë të dëshpëruar ua mësynë ambasadave të huaja në kryeqytet. Gega dhe farefisi i tij jetonin në Fier, një qytet rreth njëqind kilometra në jug të Tiranës. Lidhur me ngjarjet në Tiranë, ata kuptuan nga televizionet italiane dhe nuk menduan kohë të gjatë. Si muzikante, ajo vuajti shumë nën thundrat e regjimit komunist.
Vajza e re e mori violinën me vete dhe me prindërit, hallën dhe xhaxhain u nisën me tren për në Tiranë. Pas shumë peripecive, ata arritën të futen në Ambasadën e Gjermanisë. Më 7 korrik, në hapësirat e Ambasadës gjermane u gjendën 3.199 persona, të cilët flinin në kopsht. Gjatë kësaj, një grua lindi një fëmijë, të cilën në shenjë falënderimi e pagëzoi me emrin Germana. Në Ambasadat e Italisë dhe të Francës gjithashtu u arratisën rreth 1.400 shqiptarë.
„Ishte e mbushur përplot me njerëz, por të gjithë ishin të lumtur“, i shpalos kujtimet Ervisi, një çerek shekulli më vonë, në shtëpinë e saj në Bonn të Gjermanisë. „Për çdo natë e shikonim në televizor Kampionatin botëror në futboll. Pasi Gjermania triumfoi, të gjithë e festuam titullin“.
Familja Gegaj ishte në përndjekje të pushtetit komunist. Të afërmit e saj ishin arrestuar e dënuar me vdekje. Edhe pse Ervisi ishte e talentuar, asaj iu ndalua të studiojë apo të këndojë në korr. Më 8 korrik, në Tiranë kishte arritur një i dërguar i Kombeve të Bashkuara për bisedime me Qeverinë shqiptare. Me këtë rast, Qeveria kishte njoftuar se të gjithë ata që kanë kërkuar azil jashtë vendit mund të largoheshin.
Më 12 korrik, autorietet shqiptare i kishin lejuar shqiptarët të largoheshin me autobusë për në Durrës, e prej aty, me anije në drejtim të Italisë. Gjatë kësaj, ata i kishin hedhur orët, të hollat dhe të gjitha shenjat tjera, sa për ta lënë të kaluarën në harresë.
Nën përcjelljen e Kryqit të Kuq, Ervisi dhe farefisi i saj, e disa shqiptarë të tjerë, u nisën prej Italisë me tren për në Gjermani. Në ndërkohë, Ervis Gega tani luan si mjeshtre e kosncertit në filarmoninë klasike të Bonnit dhe është me renome botërore si soliste. „Unë jam shqiptare, vendlindja ime është Shqipëria, por shtëpia ime është Gjermania“, përfundon Ervis Gega.