Portret gjerman i një familjeje shqiptare nga Kosova
10:19:38 2017-01-01
Mirsad dhe Sadete Shabani, me fëmijët e tyre Arbnorin (6) dhe Milotin (10) janë integruar shkëlqyeshëm në Dundenheim të Gjermanisë. Ende mbetet e paqartë nëse ata do të mund të qëndrojnë për kohë më të gjatë.
Pas aklimatizimit të refugjatëve të ardhur gjatë vitit të kaluar, ata tashmë kanë filluar të kërkojnë mësim të gjuhës gjermane, kërkojnë qëndrim të përhershëm, por edhe të dridhen gjatë vendosjes së fatit të tyre. Përmes krijimit të marrëdhënies së punës, disa kanë gjetur rrugën e integrimit në shoqërinë gjermane. Njëra nga familjet e tilla është ajo e familjes Shabani nga Kosova.
Ata e mirëmbajnë dhe përkujdesen për klasën në të cilën janë duke banuar, në një shkollë në Dundenheim. Që nga shtatori i këtij viti, Mirsad dhe Sadete Shabani, me fëmijët e tyre Milotin dhe Arbnorin janë duke jetuar në Dundenheim. Ata tashmë e kanë gjetur një banesë, por janë në pritje dymujore të dokumenteve të nevojshme që duhet t`i miratrojnë autoritetet vendore.
Për të financuar banesën, aat nuk kanë probleme, pasi Mirsadi është duke punuar me orar të plotë që nga muaji qershor tek sipërmarrja për dysheme „Wiela“ në Kürzell. Shefi i vet, Leo Wienchulla, ia ka blerë një biçikletë të re që të udhëtojë për çdo ditë nga Dundenheimi deri në Kürzell. „Jemi një ekip i mirë dhe kuptohemi në mënyrë të shkëlqyeshme“, ka pohuar Wienchulla, duke mbyllur njërin sy. Ndonjëherë ai e merr Mirsadin me vete edhe jashtë orarit të punës. „Kur bëhet fjalë për traditën dhe kulturën gjermane, natyrisht se ia ka nevojë për ndihmë plotësuese, por ai është shumë i angazhuar dhe i zellshëm“.
Sadete Shabani bile ka dy punë. Ajo punon nga ora 06.00-07.00 në një furrë në Ichenheim dhe në mbrëmje në një restorant. „Gjithnjë jam e lodhur“, pohon për „Badische Zeitung“ Sadetja, duke i rrudhur krahët, ndërsa ajo bindshëm deklaron se nuk do të dorëzohet nga puna. Edhe Mirsadi nuk dëshiron ta anashkalojë punën e të jetojë nga ndihmat sociale. „Më 3 mars erdhëm në Ichenheim, ndërsa menjëherë të nesërmen fillova kontaktet me njerëz të ndryshëm nga komuna. Fillimisht, rregullisht isha i pranishëm në komunë, në mënyrë që të fitoj të drejtën e punës, bile edhe kishës i ndihmoja vullnetarisht“, thekson Mirsad Shabani.
Çifti bashkëshortor kosovar shpreson se gjasat për të qëndruar në Gjermani, janë më të mira, po që se dëshmojnë se janë të integruar mirë dhe se nuk varen nga ndihmat sociale. Ata janë në pritje të një përgjigjeje nga autoritetet vendore.
„Në këtë rast, çdo muaj që ata qëndrojnë në Gjermani, është i mirëseardhur“, pohon Stefanie Kopf, koordinatore e refugjatëve për Neuried und Meissenheim. Ajo i ka bërë të gjithë përpjekjet që familja Shabani të mund të qëndrojë përgjithmonë në Gjermani. Në vendlindjen e tyre i pretë varfëria dhe joperspektiva. Ai tashmë e ka mësuar zejen e tij, por në Kosovë nuk mund të gjendet punë: „Për të mbijetuar, njerëzit atje shkojnë në mal dhe presin drunj, në mënyrë që së paku të mund t`i shesin“.
Edhe dy djemtë e tyre ndjen si vendas. Që të dy luajnë, sikurse edhe babai i tyre në ekipin e futbollit të komunës. Sidomos Miloti, i cili në ekipin e vet luan si portier, nuk mund të dallohet se prej nga e ka prejardhjen. Ai flet rrjedhshëm gjuhën gjermane dhe në shkollë është i shkëlqyeshëm, ndërsa idhulli i tij është Manuel Neuer.