Përkthyesja shqiptare si kujdestare fëmijësh gjermanë
Shoqet e saj gjenden në Berlin, Mynih dhe Frankfurt, ndërsa shqiptarja Xhilda Progonaci është kujdestare për fëmijë në familjen gjermane Mühl në Ostercappeln të Gjermanisë. Në pyetjen e portalit „noz.de“ nëse më me dëshirë do të vendosej në ndonjë qytet më të madh, ajo përgjigjet: „Varet nga familja, ndërsa unë un këtu ndjehem e pranuar shumë mirë“.
Por, ajo duhet të llogarisë në disa përkufizime, për shembull, orari i dobët i komunikacionit ndërurban. Kursin e saj në Shkollën e lartë në Osnabrück e arrin me kohë, por për tu kthyer duhet ndokush ta marrë me veturë.
Për fat të mirë, në ditët e sotme ekziston mundësia që përmes internetit të flitet falas me telefon dhe të shihen të afërmit: „Skype ma ka lehtësuar jetën, pasi mund të kontaktoj me familjen time“, pohon 21-vjeçarja. Familja e saj jeton në kryeqytetin shqiptar Tiranë, ku para një kohe Xhilda kishte diplomuar si përkthyese.
Gjermanishten e ka mësuar si gjuhë të parë të huaj në shkollë, duke i krijuar aq kënaqësi sa që kishte vendosur ta studiojë gjermanistikën. Masterin e saj dëshiron ta përfundojë në Gjermani. „Në dy vitet e fundit, tek ne ka gjithnjë e më shumë studentë të gjermanistikës“, rrëfen Xhilda. Profesioni i saj si kujdestare fëmijësh jo vetëm që i mundëson t`i përvetësojë njohuritë rreth gjuhës, por ajo mëson edhe për jetën gjermane, si funksionon një familje gjermane.
Që nga muaji shkurt, ajo është duke jetuar tek Anne, Dietmar, Lara dhe Nala Mühl. „Që nga minutat e parë u bindëm se ajo është e përshtatshme për ne“, shpalos kujtimet Anne Sander-Mühl pas bisedës së parë që kishte në muajin dhjetor. Pas një viti pushimi të lindjes, ajo përsëri kishte filluar të punojë si mësuese. „Burri im është me punë, ndërsa unë kam shumë termine, prandaj e pamë të arsyeshme që të gjejmë ndonjë kujdestare për fëmijë“, pohon ajo.
Xhildën e kishin gjetur përmes një agjencioni. „Për ne nuk ishte me rëndësi prej nga vjen dhe nëse flet ndonjë gjuhë tjetër. Ne vendosëm në baza të simpatisë dhe nuk gabuam“. Jeta e përbashkët është duke funksionuar në mënyrë të shkëlqyeshme.
Xhilda kryesisht është e preokupuar me fëmijët, me ç` rast Anne Sander-Mühl përfiton në kohë për t`i kryer obligimet e përditshme. Por, ndonjëherë ndodhë që edhe Xhilda të marrë përsipër detyrën e përgatitjes së ushqimit, duke gatuar ndonjë specialitet shqiptar për familjen gjermane.
Për 21-vjeçaren është hera e parë që për kaq kohë të gjatë është larg familjes. „Kur i shikoj fotot e familjes, ndonjëherë e kam rëndë. Asnjëherë nuk e kish menduar se motra do të më mungojë aq shumë“, pranon Xhilda me një buzëqeshje mallëngjyese. Por, përpos kësaj, ajo është e lumtur që e ka ndërmarrë këtë hap. Javët e para kishin kaluar aq shpejt sa që nuk e dinte se ku kishte mbetur koha.
Pesëvjeçarja Lara dhe foshnja 14-muajshe Nala janë bërë pjesë e pandarë e jetës së saj. „Për çdo ditë i mësojë ndonjë gjë të re“, thotë e gëzuar Xhilda, duke u befasuar se sa programe të shumtë ekzistojnë për edukimin e fëmijëve.
Te familja Mühl ajo do të qëndrojë një vit, duke përfunduar se ka marrë një hap të mirë për të njohur më mirë vendin dhe njerëz të tjerë.
Për të rejat të cilat dëshirojnë të punojnë si kujdestare fëmijësh, Shërbimi i këmbimit akademik gjerman ofron informata më të detajuara për këtë qëllim (në internet mund t`i gjeni përmes vegzës www.daad.de/laenderinformationen/de). Një burim i mirë i përvojës si kujdestare për fëmijë është edhe përvoja e vajzavetë tjera të cilat i kanë postuar momenttet e punës nëpër faqe të ndryshme të internetit. Në ndërmjetësimin e kontakteve me familjet që kanë nevojë për një kujdestare, ndihmojnë edhe agjencitë, shkruan portali në fjalë.