Ovde je Srbija, si barcoletë

66 Lexime

Arben Rrozhani

Rreth 22 vite më parë, kur punonim te redaksia e gazetës “Rilindja” e Prishtinës, te rruga “Myslym Shyri”, kolegët e nderuar të Kosovës tregonin llojlloj barcoletash për kohën e “bratsvo e jedinstvo” (vëllazërim-bashkimin) që përfundoi me luftë në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Më të bukurën e tregonte Skënder Zogaj, ai që çonte malit ilegalisht nga Shqipëria në Kosovë, rrogat për mësuesit dhe mjekët, si pjesë e fondit të 3 përqindëshit dhe që më vonë u bë edhe kryetar komune në Fushë-Kosovë. Tregonte Skënderi: Një serb i Kosovës, në gjendje të dehur, kishte ndaluar para një ndërtese në Prishtinë dhe bërtiste me gjuhën e trashur nga shlivo: Ovde je Srbija, Ovde je Srbija (Këtu është Serbi). Askush nuk i fliste, derisa një shqiptar nuk duroi më dhe ia ktheu: Šta kažu vi budala tamo je pošta (Çfarë thua o budalla, aty është zyra e postës). Nacionalisti i dehur i viteve ’80, endet sërish nëpër Ballkan. Sipas vendit, vishet si serb, shqiptar, maqedonas, malazez, turk apo grek.

Nuk i ka dalë dhe nuk po i del për qamet shlivo e nacionalizmit arkaik. As kur është në Prishtinë, as në Beograd, Shkup, Athinë, Ankara dhe as në Tiranë. Edhe pse kufijtë janë të vendosur dhe ato priten të rrëzohen virtualisht me krijimin e Shengenit Ballkanik dhe më pas një tregu të përbashkët, përpara se të bëhemi pjesë e Europës së Bashkuar. Kjo është e vështirë për t’u kapërdirë për shumë prej mendjeve të sëmura, që ende kanë tikun nervor të viteve ’80 të serbit të Prishtinës, se Shqipëria e Madhe është thjesht një ide për të cenuar shqiptarët si ekspansionistë, se Kosova është një shtet i pavarur i njohur prej shumicës së shteteve anëtare të OKB-së, se Maqedonia duhet të jetë një shtet unitar, ku shqiptarët janë elementi i rëndësishëm shtetformues, se Epiri i Veriut ka vdekur bashkë me Megalidhenë, apo se Shqipëria nuk është më një amalgamë vilajetesh nën hyqmin e Portës së Lartë. Por është e rëndësishme të kuptohet se ajo që ngjau këto dy ditët e shkuara në Tiranë ishte ajo që duhet të jetë busulla për rrugën e ardhshme të bashkëpunimit.

Por dhe, edhe pse 60 vite pa vizita në rang kryeministrash, tregtia dhe biznesi Tiranë- Beograd ka ecur në rrugën e vet, ku padyshim, deri më sot, të fituar janë serbët, ashtu siç kanë qenë edhe grekët, turqit, italianët, maqedonët etj. që kanë shtënë në dorë pasuritë, shërbimet dhe bizneset më fitimprurëse, deri te mallrat e konsumit të përditshëm. Le t’ua lëmë vendin shifrave që janë shumë më kokëforta se serbët apo shqiptarët që për pak u ndeshëm kokë më kokë pas dronit mbi stadiumin e Beogradit. Vetëm në 8 muajt e parë të vitit 2014, pra dy muaj para se të plaste sërish retorika e madhe nacionaliste Beograd-Tiranë, shqiptarët importuan nga Serbia mallra në vlerë 108 milionë euro, duke zënë vendin e gjashtë për importet e Shqipërisë për këtë periudhë kohore. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të Shqipërisë deklaronin se Shqipëria importonte më shumë grurë dhe miell nga Serbia dhe më pas Rusia dhe këto dy vende kanë mbajtur me “bukë” shqiptarët prej vitit 2001.

Edhe pse konsiderohen në nivele shumë të ulëta, marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Serbinë, kjo e fundit është në avantazh, me 8 herë më shumë importe drejt tregjeve tona sesa arrijmë ne të dërgojmë atje. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se vetëm 3.5 për qind e totalit të volumit tregtar të Shqipërisë zhvillohet me Serbinë. Grupi më i importuar është “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, që zë 51% të totalit, ngaqë kompanitë serbe konsiderohen lider në rajon në importin e energjisë elektrike, për shkak edhe të linjave të transmetimit që ka ky vend. Gjithashtu nga Serbia ne importojme grurë, ushqime dhe pije.

Ndërkohë që eksportojmë drejt tregjeve serbe kryesisht minerale dhe energji elektrike, shumë më pak se sa importojmë ushqime, pije dhe duhan dhe kemi eksportuar tekstile dhe këpucë, prej vetëm 200 mijë eurosh në tregun serb. Raporti i zhdrejtë eksport-import me Serbinë është pak a shumë ajo që Shqipëria ka në tregtinë e jashtme me shumë prej vendeve fqinje, apo më gjerë, përveç Kosovës, ku eksportojmë më shumë se sa importojmë. Dhe kjo do të thellohet edhe më shumë, sepse biznesi serb është hapa përpara krahasuar me Shqipërinë apo Kosovën. Këmbëngulja e Serbisë për BE-në që të financojë ndërtimin e rrugës që do ta lidhë atë me Kosovën dhe Shqipërinë si dhe për ndërtimin e hekurudhës që e lidh me Malin e Zi dhe Shqipërinë, do t’i mundësojnë Serbisë që të ketë dalje në portet e Shqipërisë. Dhe ashtu si me rastin e “Rrugës së Kombit”, të fituar do të jenë më së shumti serbët. Sigurisht, jo ai që ende bërtet gjuhëtrashur në tokën shqiptare: Ovde je Srbija! /Shekulli/