Një studim i dallimeve të ndarjeve të drejtimeve në besim

489 Lexime
2019-09-06
Sead Zimeri

Lexova një studim të shkëlqyeshëm për Imam Shatibi-un, dijetarin e njohur të usuli fikhut dhe autorin e veprës monumentale al-Muwafakat fi usul ash-sharia. Ajo që më bëri përshtypje në këtë studim ishte një aspekt që unë në shumë shkrime të miat e kam theksuar: problemi i islamit sot nuk është vetëm vehabizmi, sidomos tek ne, por është vetë sunizmi në formën e tij esh’arite, e që është forma dominante e islamit sunit. Ata nuk i besojnë arsyes, që ajo është në gjendje të diferencojë mes të mirës dhe të keqes, të dobishmes dhe të padobishmes, të vërtetës dhe jo të vërtetës pa ndihmën e revelatës. Pra, arsyeja ka rol krejt margjinal në doktrinën esha’arite, një mendim që fatkeqësisht e ka nda edhe imami i shquar i fikhut, Imam Shatibiu. Sipas studimit që lexova, por jo vetëm sipas tij, kjo doktrinë nuk është formuluar sepse ashtu kërkon Kur’ani, por sepse ajo ishte një mënyrë për t’u distancuar nga drejtim racionalist në islam, ai i Mu’tazilëve. Sipas mutezilëve, arsyeja ka potencialin ta dallojë të mirën nga e keqja, madje ata thonë, dhe këtu shkojnë një hap përtej Maturidive, drejtimit tjetër sunit por që është në pakicë, arsyeja jo vetëm që dallon të mirën nga e keqja por edhe në mungesë të revelatës (shpalljes) njeriu do të ishte përgjegjës para Zotit për veprat e tij të liga. Doktrina esh’arite pra u formulua jo aq shumë sipas një të kuptuari objektiv të Kuranit, por sipas një kuptimi ideologjik, për t’u ndarë nga Mu’tezilët. Madje ata autorë sunitë që përverësuan disa tradita të mu’tezilizmit do të arsyetohen si njohës jo të thellë të teologjisë islame. Edhe vetë Gazaliu i madh i cili përndryshe kishte aftësinë dhe mendjen e hollë ta kuptonte që ajo doktrinë nuk është në përputhje as me Kuranin dhe as me arsyen bën apologjetikë kur flet për doktrinën esh’arite dhe shkruan sikur po kërkon falje që duhet ta thojë të vërtetën:

“E theksuam këtë që të mos na shoqërojnë me Mu’rezilët. Ata që kërkojnë rrugën e drejtë nuk do të fyhen nga ajo që po them nga frika se mos ndoten nga një doktrinë e braktisur…[doktrina Mu’tazilite pra].”

Aq e thellë ishte urrejtja mdaj Mu’tazilëve saqë një doktrinë e tërë do të zhvillohet që do t’i mohojë edhe të vërtetat e qarta dhe do të mbrojë iluzione dhe fantazi vetëm e vetëm që ta kundështojnë racionalizmin islam.

Kjo dogmë ende nuk është braktisur (unë i kam lexuar veprat e Dr. Butit dhe e dij që qëndrimi i tij është pikërisht i tillë që arsyes ia mohon kapacitetin kryesor të saj) por madje është kanonizuar dhe mbrohet në çdo mënyrë të mundshme, dhe ata që guxojnë ta sfidojnë pushohen nga puna apo shpallen apostatë, sepse sipas tyre, ai është qëndrimi i islamit të vërtetë. A e keni vërejtur se si flasin imamët te ne: “Zoti thotë kështu”. Thotë njeriu që Zoti po u përshpëritë në vesh sa herë që ata e citojnë ndonjë vers të Kuranit duke harruar plotësisht se të kuptuarit e tyre është metodologjikisht esh’arit. Po guxove të bësh ndonjë interpretim të ri të mbështetur në arsye, menjëherë akuzohesh që je bërë mu’tazil, dmth, ke dalë nga kopeja e ngritur mbi iluzion. Më mirë të besojnë në iluzione, në interpretime të gabuara, absurde disa herë (madje edhe Ibn Tejmiu, shejhi i vehabive, e pranon kapacitein e arsyes për të bërë dallimet që esh’arizmi i mohon dhe atë bazuar në ajetet 7:28-29), sesa të pranojnë që interpretimet e tyre janë të gabuara. Baza e kësaj doktrine është pra mohimi i kapacitetit të arsyes të bëjë dallime elementare pa ndihmën e revelatës.

Problemi nuk është vetëm vehabizmi, por islami esh’arit që insiston në mbrojtjen e doktrinave që më nuk mund të mbrohen.

Për më tepër lexo: Ahmad al-Raysuni (2005). Imam Al-Shatibi’s Theory of the Higher Objectives and Intents of Islamic Law.