Një baba dhe vajza e tij 13-vjeçare vdesin nga zjarri në Bulle të Zvicrës
Gjatë natës nga e hëna në të martë, një zjarr është shkaktuar në bodrumin e një pallati në Bulle. Dy persona vdiqën, duke përfshirë një vajzë të re, dhe rreth njëzet u plagosën. Rreth 90 persona janë evakuuar dhe janë zhvendosur
Një zjarr është shkaktuar në një ndërtesë në Bulle, në rrugën „Rue de Vevey“, gjatë natës nga e hëna në të martë rreth orës 02:30 të mëngjesit.
Oficerët e policisë, në bashkëpunim me zjarrfikësit nga bazat e nisjes Bulle, Vaulruz dhe Marsens, e vunë shpejt fatkeqësinë nën kontroll. Tymi i fortë u përhap edhe në ndërtesat 233 deri në 219.
Por, për fat të keq, një 52-vjeçar dhe vajza e tij 13-vjeçare nuk kanë mundur të mbijetojnë, informon portali Shtegu. Ata vdiqën nga helmimi me monoksid karboni.
Një grua, 48 vjeçe, u transportua nga REGA në spital. Rreth njëzet persona u helmuan gjithashtu dhe u dërguan me ambulancë në spital. Gjithsej janë evakuuar rreth 90 persona.
Pas kësaj ngjarjeje, ekipi i lëvizshëm i urgjencës psikosociale (EMUPS) u thirr për të mbështetur personat e evakuuar. Me vendim të prefektit të Gruyère dhe të besuarit të qytetit, banorët do të zhvendosen te të afërmit dhe përkohësisht në hotelet e rajonit.
Rue de Vevey do të jetë e mbyllur për një periudhë të pacaktuar pas ndërhyrjes. Origjina e fatkeqësisë mund të jetë në garazhin nëntokësor të ndërtesës. Gjithsej rreth gjashtëdhjetë vetura ndodheshin në garazhin nëntokësor dhe u dëmtuan. Po punohet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij zjarri.