Nivel i kënaqshëm i pjesëmarrjes aktive dhe bashkëkrijuese
Seminari i radhës në gjuhën shqipe, i organizuar nga drejtuesi i grupeve të interesit në sindikatën Unia Hilmi Gashi, u zhvilluar në Morges të Kantonit Waadt/Vaud të Zvicrës frankofolëse. Përmes prezantimeve, bashkëbisedimeve, shkëmbimeve dhe zotimeve të përbashkëta, u trajtuan tema të rëndësishme nga bota e punës dhe të drejtat sociale, organizimi sindikal e ai i komunitetit si dhe aspekte që kanë të bëjë me të drejtat themelore njerëzore, si ato të solidaritetit përtej gjeneratave dhe gjinisë, gjithandej!
Seminari tradicional dyditor ne gjuhën shqipe i sindikalistëve shqiptaro-zviceran ishte i dyti për sivjet. Pas shpjegimeve për qëllimin e synimet e seminarit nga organizatori Hilmi Gashi, kontribuuan me referime tematike edhe (ish)sindikalisti në pension Osman Osmani, me prezantimin e argumenteve mbi nismën për pensionin e 13-të të pleqërisë nga shtylla e parë AHV/AVS; i pasuar nga Hilmi Gashi, i cili prezantoj – duke i shoqëruar me shembuj konkret – mundësitë e përfshirjes dhe nevojën e pjesëmarrjes aktive në organizimin të strukturuar sindikal; pastaj Mimoza Kokollari nga qendra “Astre” në Lozanë, e cila në kuadër të çështjes së trafikimit të qenieve njerëzore, shpjegoj aspekte të shfrytëzimi të migranteve e migrantëve – me theks edhe bashkëkombas:et tona – si fuqi punëtore; dhe Eduart Braka i mbështetur nga Hilmi Gashi shpjeguan fushatën “anëtarët bëjnë anëtarë”, duke vu në pah rëndësinë dhe mundësinë që kanë anëtarët aktiv për të përfituar anëtarë të rinj për lëvizjen sindikale.
Të 20 pjesëmarrës:et e këtej seminari, nga të cilët edhe të tillë që ishin për herë të parë në një seminar të tillë, ishin tejet aktiv në bashkëbisedim dhe dhanë edhe ide konkrete se si së bashku mund të kontribuojmë për kushte më të mira pune e jetese edhe në moshë të shtyrë.
Përpos ideve shumica e tyre u zotuan që do të ndihmojnë edhe konkretisht gjithandej ku ata kanë mundësi për të kaluar votimi i nismës për pensionin e 13-të të AHV/AVS-it, sikur edhe që do angazhohen për përfitimin e kolegëve të tyre bashkëkombës dhe të tjerë si anëtarë për të fuqizuar më tej lëvizjen sindikale.
Në interesim të veçantë hasi edhe referimi i Mimoza Kokollarit mbi temën deri më tani paksa të tabuizuar të shfrytëzimit deri edhe keqtrajtimit të qenieve njerëzore si fuqi punëtore edhe nga vet bashkëkombësit. Pyetjet e shumta dhe bashkëbisedimi kaluan kohën e paraparë për ketë temë, çka bëri të qartë nevojën e thellimit në këtë tematikë në seminaret e radhës.
Edhe sa i përket fushatës “anëtari bënë anëtarë” bashkëbisedimi ishte shumë konstruktiv dhe premtues për të përfituar anëtarë të rinj për lëvizjen sindikale.
Pjesëmarrësit në fund të seminarit, pa përjashtim, u shprehen shumë të kënaqur me organizimin e mbarëvajtjen e seminarit dhe temat e trajtuara, për çka falënderuan organizatorin dhe referuesit si dhe mirënjohjen për atmosferën e shëndoshë e konstruktive të debatit të frytshëm për të gjithë. (prointegra.ch)