Neue Zürcher Zeitung: Loja e Gruevskit me zjarr
20:16:53 2017-05-01
Ndërhyrjet në Parlament dhe nxitja e urrejtjes ndëretnike, do të duhej të parandalonin formimin e Qeverisë maqedonase. Vendi është më labil se asnjëherë më parë.
Me ndërhyrjen në Parlamentit në Shkup, kriza në Maqedoni është përshkallëzuar në masë të madhe. Natën e së enjtes në të premte, një turmë protestuesish, ithtarë të së djathtës nacionaliste VMRO-DPMNE, kanë hyrë në hapësirat e Kuvendit duke rrahur përfaqësues të opozitës socialdemokrate dhe partive etnike shqiptare. Me pistoleta në shënjestër, truprojet e kanë mbrojtur liderin e opozitës, Zoran Zaev. Me këtë rast, ai është lënduar në kokë. Policia nuk ishte e gatshme apo nuk ishte në gjendje ta mbrojë godinën, edhe përkundër faktit se nacionalistët e VMRO-së me javë të tëra janë kërcënuar me hyrje në Parlament, në rast se opozita krijon Qeveri së bashku me shqiptarët.
Për tu formuar një Qeveri e tillë, ishte marrë një hap vendimtar, kur socialdemokratët dhe aleatët e tyre shqiptarë, e zgjodhën Talat Xhaferin për kryeparlamentar, ndërsa ky duhet të fillojë formimin e Qeverisë.
Komisioni i BE-së është njohur me zgjedhjen e Xhaferit, duke dënuar ashpër trazirat. Nga ana tjetër, VMRO paralajmëron për „struktura paralele ilegale“. Lideri partiak, Nikolla Gruevski, i cili dhjetë vite dominoi në Maqedoni, po përpiqet me çdo kusht ta mbrojë rrëzimin e tij nga pushteti. Një aferë e përgjimit e publikuar nga opozita në vitin 2015, kishte zbuluar një sistem korruptiv të klasës sunduese. Në fund të vitit 2015, pas presionit ndërkombëtar u formua Prokuroria speciale e cila do të hetojë edhe ndaj vetë Gruevskit. Politikanë të shumtë u frikësuan se ky hap do të çonte në përfundim të karrierës së tyre dhe burgosjes.
VMRO-ja e paraqet problemin më ndryshe, duke u bazuar në presidentin Ivanov, i cili refuzon ta japë mandatin për formimin e Qeverisë pasi frikësohet se socialdemokratët së bashku me shqiptarët do ta federalizonin Maqedoninë. Në fakt, shqiptarët pas zgjedhjeve kanë miratuar një platformë të përbashkët, me të cilën nuk bëhet fjalë për federalizim të Maqedonisë, por për Ligjin e dygjuhësisë, ndarjen adekuate të buxhetit dhe „debatit të domosdoshëm“ për simbolet shtetërore: Përpos maqedonasve, ata duan që edhe ata të jenë popull shtetformues. Platforma i miratua me ndërmjetësimin e Edi Ramës në Tiranë. Shumicës së maqedonasve një gjë e tillë u pengon e sidomos komentet më të reja shqiptaromëdha të Ramës. Sipas ideologut të VMRO-së, Cvetin Cilimanov, platforma e rrezikon rajonin për tu destabilizuar. Por, ajo që VMRO është duke u frikësuar, në të vërtetë është humbja e pushtetit dhe përforcimi i shtetit ligjor.
Për të parandaluar këtë hap, VMRO është e gatshme të luajë me zjarr. Tashmë disa muaj, mediet e saj janë duke nxituar të shkruajnë kundër nacionalistëve shqiptarë, tradhëtitë e socialdemokratëve dhe organizatave joqeveritare të financuara nga George Sorosi. Sidomos, propaganda antishqiptare është duke nxitur emocione tek pakica shqiptare e cila përbën 25 për qind të popullatës.
Kjo bëhet qëllimisht, pasi një konflikt ndëretnik do ta shpërbënte koalicionin në mes socialdemokratëve dhe shqiptarëve, kështu që VMRO do të mbetej përsëri në pushtet. Ideja e tyre është aq e papranueshme kur dihet se marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve ishin përmirësuar pas pothuajes luftës qytetare të vitit 2001. „Jo vetëm se paragjykimet reciproke që janë rritur, por se edhe interaksionet janë bërë më intensive“, shprehet profesoresha e së Drejtës, Besa Arifi për „NZZ“, njofton „Shtegu.com“. Ekzistojnë elemente të një shoqërie qytetare multietnike, e cila është duke kundërshtuar regjimin aktual.
Shumica e qytetarëve agjitacionin e tillë nacionalist e shohin si manipulim të elitës në pushtet. Shteti i ndarë në baza etnike nuk ka gjasa të mëdha të bëhet anëtare e BE-së. Kriza aktuale mund ta sjellë vendin në çështje ekzistence.