MALLËNGJIMI I „POÇARIT“ NGA RAÇJA…

57 Lexime

Një foto nga Ada Park-u i Bajram Pashës, ku janë vendosur tre simbole kombëtare, ai shqiptar, turk dhe boshnjak

 

 

14:50:00                2017-08-12

 
Hodha sytë te disa rrobe për fëmijë në shtandin e tij dhe me djalin e dajës, Baftiun, komentonim në gjuhën shqipe a thua do tesha për fëmijë që na tërhoqën janë kualitative, shitësi, rreth të dyzetave, befasisht na foli poashtu shqip “për kvalitet, me garanci”.
„Po ti nga na dole, prej nga je?“, më rrëshqiti nga goja, edhe pse nuk është ndonjë çudi të takosh shqiptarë gjithandej Stambollit.
„Jom pi Raçje, pi Shkupit!“ ma ktheu!
“O, po ne jemi kojshi të pare”, ndërhyri vëllai, Dauti, duke i treguar menjëherë se jemi nga Bojana.
U habit edhe ai, sepse keto dy fshatra të Dërvenit të Shkupit s’kanë më shumë se dy kilometra nga njëri-tjetri.
Dolëm të „njofshëm“, me Sedatin nga Rashçja, i cili ishte shpërngulur me familje në vitin 1970.
“Nga cila mëhallë je”, e pyetëm, duke dashur të zbulojmë mos është nga ato mëhalla të këtij katundi që kemi farefisë.
“Nauk e di, unë jam zonë në Stamboll dhe në Raçe s’kam kurr’ s’kom konë”, na e ktheu me keqardhje.

 

2

Autori me djalin e dajës, te Ura e Gallatës, ku takohen Europa dhe Azia…
Fliste shqip më mirë se shumë të tjerë që kanë lindur në Turqi pasi u janë shpërngulur familjet. Fytyra i shkëlqente që kishte rastin të flasë me vendas, dhe për pak harruam që aty ishim për të blerë tesha.
“Si t’ju begenisen, nauk ka problem për fijatin(çmimin). Sa t’thaush taj pagjuj!”, na tha me një gjuhë dërvençe që e fliste sigurisht në familje. Dukej se nuk është “blof” i tregtari të rryer, por një ofertë e sinqertë për shkak se vinim nga e njëjta anë dhe fituam përshtypje se ishte i gatshëm t’na i japë edhe pa pare!
Kush bënte pazar më…
Bëmë pak muhabet si vendas që gjenden papritmas diku larg dhe na luti shumë për të na dhënë kafe ose ndonjë lëng për t’u freskuar, por e refuzuam duke u arsyetuar se po ngutemi. “Tjetër herë”, i thamë.
Në ndarje, na tha se na e ka borxh një kafe, dhe kur të na bie rruga prapë mund ta gjejmë në të njëjtin vend, në Bajram Pashë.
“Shaum du t’shkoj n’kataundin e babës tem, ama nauk ka konë kismet”, tha Sedati nga Raçja.
Ky takim sikur ma perkujtoi „poçarin“ e famshëm të këngës së Ilir Shaqirit (me duket se vargjet janë të Dritëro Agollit)…

 

Rahim Dauti
(Teksti është postim në facebook, por i modifikuar dhe plotësuar nga vetë autori për portalin tonë)