Kushtrim Sadiku, rokeri moderator

376 Lexime

Me emisionin “Info Magazine” të Klan Kosovës fitoi shikueshmërinë dhe besimin. Shquhet për pedanterinë, seriozitetin, por edhe për guximin. Kushtrim Sadiku është i përkushtuar në punën e tij dhe ky elan vazhdon ta përcjell…
Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Emisionet e tij janë debate të ‘zjarrta’, por ai arrin ta mbajë ‘nën kontroll’, duke bërë që fundi të jetë paqësor! Se kush është Kushtrim Sadiku, se cila ishte rruga e tij dhe si hyri në këtë profesion kaq specifik, mësoni në vazhdim!

Cili ishte rrugëtimi juaj si gazetar, deri tek ‘Info Magazine’?
Oh, është dashur goxha një kohë për të arritur këtu. Gjithë jeta ime deri në këto vite është përshkuar me medie. Im at Bedriu, ishte gazetar i Rilindjes për një kohë të gjatë. Dhe, duket se interesimi për medie nisi bazuar në një inspirim që e kisha në shtëpi. Që në fëmijëri dëshiroja të shkruaja. Këtë e mësova në Tiranë kur jetoja në fillet e 90-tave. Më vonë në Shkup nisa aktivisht të bëja emisione televizive e të radios, pra si fëmijë. Angazhimi edhe më serioz nisi kur gazetari Nebi Mërseli, më ftoi të punoja në gazetën Koha Ditore në Shkup, që në moshën 17 vjeçare para se të nisja studimet. Ai qe njeriu që m’u ofrua i pari. Atëherë shpërtheu. Gjithçka nisi me ritëm të përshpejtuar derisa e pashë një konkurs të Klanit të Kosovës në Prishtinë. Pranova menjëherë të aplikoj kur erdha në Prishtinë. Klani më pranoi dhe aty vazhdoi furishëm, një tempo shumë e lartë e punës, diçka që se kisha parë më herët.
Fillimisht si gazetar desku, më vonë si autor i emisionit “Exclusive”, që krijonte dhe transmetonte dokumentare historike. Kjo më dha një shtytje të fortë, sepse mësova shumë.
Më pastaj ish-drejtori i informacionit në Klan Kosova, Armand Shkullaku më ftoi ta merrja edhe Info Magazinen. Ishte dilemë e madhe, por e pranova, sepse përveç përgjegjësisë së hatashme, ishte edhe privilegj që një djalë i ri roker, të futej secilën ditë brenda shtëpive të Kosovës dhe me gjerë që t’i informonte i pari dhe ta niste debatin e ditës. Dhe kanë kaluar pesë vjet. Ja ku jemi tani. Mendoj se ende kam shumë për të dhënë.

E mbani mend ditën tuaj të parë të punës? Si ishte ajo? Ju duket e largët tani nëse e ktheni kohën pas?
Patjetër se e mbaj në mend. E diskutoj shpesh madje me kolegët themelues të këtij institucioni.
I mbaj në mend fillet e Klan Kosovës. Ishte një grumbullim gazetarësh të suksesshëm të Kosovës dhe Shqipërisë dhe pjesa tjetër gazetarësh të rinj, aty ku isha edhe unë. Një iniciativë euforike dhe një entuziazëm i paparë.

 

10377253_10206797

 

E mbaj në mend edhe frikën që kisha, nëse kjo nismë do të ishte e suksesshme ose jo. I mbaj në mend gabimet teknike të fillimit që ma dridhnin lëkurën. Mbaj në mend se si Gazmend Syla dhe Fatmir Aliu i prinin ekipit të ri më 17 shkurt 2009, atëherë kur nisi edhe rrugëtimi që e shpiu Klan Kosovën këtu ku është. Pra, ndër televizionet më të suksesshme shqiptare. Të them të drejtën, atëbotë nuk besoja se do të vinte kjo ditë. Pak besoja edhe se do ta kem mundësinë edhe ta drejtoj Info Magazinen, një nga emisionet më të shikuara në Kosovë. Tashti buzëqesh kur i kujtoj ato ditë, por kujtesën e kam të çiltër. Mbaj në mend gjithçka. Kush ishte dhe kush shkoi rrugës. Shtatë vjet pas them se është një storie suksesi padyshim.
Kushtrim, emisionin ‘Info Magazine” po e udhëhiqni tash e disa vjet. Cilat momente ju kujtohen si më interesantet e më të ‘rëndat’ gjatë këtyre pesë viteve?
Kanë kaluar pesë vjet tashti. Të them të drejtën janë shumë momente të vështira që më kalojnë në mendje. Më kujtohet Adem Grabovci kur dëshironte të dilte nga emisioni për shkak se Florin Krasniqi e fyente atë nga lidhja direkte, nga vija kufitare ku po qëndronte në protestë. Më kujtohet ballafaqimi Plisa vs Torcida, i cili ishte i frikshëm. Ishte siklet. Më kujtohen shumë momente interesante.
Këso ballafaqimesh ka pasur shumë shpesh. Ndonjëherë vetëm sa ka munguar përplasja fizike.11216247_10206797784519081_1593686762114860220_n

Cili ishte mysafiri më interesant të cilin e keni pasur në emision?
Kam realizuar më shumë se njëmijë emisione në Klan Kosova. Të them të drejtën ka patur shumë rrëfime ose ballafaqime që do t’i mbaj në mend. Mbase është e padrejtë të caktohet se kush ka qenë interesant ose jo. Nëse nuk do të zgjonin kureshtjen e publikut, apo nuk do të kishin çfarë të thoshin, ata nuk do të ishin aty. Jam kujdesur që secilën ngjarje interesante ta përcjellë, edhe duke dalur jashtë studios, vetëm e vetëm për ta sjellë para shikuesve realitetin e asaj çfarë po ndodhë. Dhe jo vetëm përbrenda territorit. Kanë folur të gjithë liderët politik, gazetarë e analistë, sportistë e artistë. Info Magazine tenton të jetë i hapur për të gjithë.
Për shkak të rritjet së interesimit për emision, a arrini ta përballoni dinamikën dhe ta ruani konceptin, ashtu siç e keni menduar dhe dëshiruar?
Me kalimin e kohës edhe stresin e kam vendosur tek nevojat e mia organike. Them se ritmi i shpejtë i një emisioni të përditshëm është stresues, dhe njëkohësisht të detyron që atë ta mbash brenda. Kjo për arsye se shikuesi nuk të fal. Emisioni duhet të jetë atraktiv, menaxhimi i ekipit të gazetarëve duhet të bëhet më së miri, lajmi duhet të jepet i pari.
Dhe këtu nëse futet pjesa më e rëndë e menaxhimit të debatit, atëherë po i bie që secili emision është i rëndë. Ke të bësh me përplasje interesash, idesh, egosh e gjithçka. Dhe roli im është të jem mediator. Prandaj them se është vështirë. Kjo nuk do të ishte e mundur pa ekipin që punon në deskun informativ të Klan Kosovës. Është produksion masiv dhe entuziazëm i madh.
Koncepti i emisionit ka ndryshuar në kuptimin që emisioni tashmë është njëorësh. Dhe beso që në një orë duhet të ketë shumë përmbajtje.

 

Si e përballoni stresin, meqenëse është i pashmangshëm në profesionin të cilën e ushtroni?
Ohh, kjo është pjesa më e rëndë. Tentoj të lëviz më shumë dhe ta detyroj vetveten të mendoj. Ose këshillohem me ndonjë nga kolegët, kur diçka nuk shkon si duhet.
Tentoj të gjej një ambient të qetë ndonjëherë, kur më duhet ajo. Ndonjëherë nuk më zë vendi vend, por gjithnjë tentoj ta inkuaroj vetën se zgjidhja duhet gjendur. Luftoj deri në moment të fundit edhe me stresin por edhe me fatin e asaj situate. Dhe besoni ose jo, e mirë ose e keqe, zgjidhja çdoherë është gjendur. Më e mirë apo më e keqe. Në fund e kam ndjerë shpagimin. Por e keqja e këtij profesioni është se kënaqësia zgjatë shumë pak. Nuk është si roman, nuk është as si album i mirë. Menjëherë duhet të mendosh për të nesërmen. Jo fort e mirë, por jam adaptuar në këtë ritëm.
Cili është temperamenti juaj? Si shpërtheni për shkak të ndonjë të papriture, apo përpiqeni të qëndroni qetë edhepse nëse emisioni ‘devijon’?
Kam shpërthyer një herë në emision. E mbaj në mend se me Shpend Ahmetin, aktualisht kryetarin e Prishtinës kemi shkuar fyt a fyt për 30 minuta rresht gjatë intervistës. Aty gjithçka devijoi në ballafaqim ndërmjet meje dhe tij. U ndjeva pak çuditshëm se si ndodhi ajo, por e pash që publiku e kishte ndjekur me shumë interes. Publiku i pëlqen ballafaqimet e ashpra.
Në situatë normale jam i qetë dhe e mendoj interesin e shikuesit para së gjithave. Për shkak se për shikuesin jemi aty. Tentoj ta mbaj brenda nervozen, ndërsa kur ajo shfaqet tek të ftuarit, që shfaqet shpesh besa, atëherë tentoj të ndërmjetësoj për qetësimin e gjakrave. Shpesh herë ka ballafaqime të ashpra, si rrjedhojë e një ambienti politik që ekziston në vend. Kjo është më se e qartë.
Meqë emisioni juaj është kryesisht live, me cilat të të papritura jeni ballafaquar dhe si keni dalur nga situata?
Faktori kohë është kryesori. Gjithçka duhet të jetë gati për në 17:30, koha kur nis Info Magazine. Kjo do të thotë se duhet bërë gjithçka për të qenë gati. Kjo do të thotë se edhe të ftuarit duhet të jenë aty dhe ndodhë që dikush ose nuk mund të vijë, ndodhë ndonjëherë dikush që tërhiqet dhe zgjidhja duhet bërë në mënyrë urgjente. Ndodhë që ekipi nga terreni vonohet për arsye objektive dhe duhet bërë zgjidhje adekuate, nga ata të cilët qëndrojnë prapa kamerave, me të cilët unë jam në komunikim në secilin moment. Fatmirësisht kemi mundësi për lidhje direkte dhe kemi studio tjetër, me të cilën mundë të lidhem menjëherë. Varësisht nga situata. Jam gati për gjithçka.

11921654_10206797784639084_7686766259164111171_n

A keni pasur kërcënime, presione apo thirrje të pakëndshme telefonike për shkak të temave të cilat i keni përpunuar, për shkak të pyetjeve që keni shtruar apo për shkak të njerëzve të cilët i keni pasur mysafirë ?
Shpesh herë të ftuarve nuk ju pëlqejnë pyetjet e mia, por unë nuk jam për t’i ledhatuar ata, kushdo qofshin pushtet-opozitë apo kushedi kush tjetër. Ka pas edhe kërcënime dhe shqetësime, rreziqe ose persona të rrezikshëm, besa edhe ndalime policore. Por kjo nuk është aspak arsye për të ndalur. Jo sepse unë i kam hyrë kësaj udhe duke e ditur që do të ketë shqetësime të tilla. Andaj ballafaqimi me rrezikun në njërën anë ose tjetrën, është pjesë e profesionit. Kujtoni që ka gazetarë që raportojnë nëpër luftëra. Ka rëndë e më rëndë.
A ju ka ndodhur ndonjëherë që debati i ashpër të vazhdojë edhe pasi të jenë fikur kamerat?
Ka ndodhur shpesh herë ngase koha e debatit është e kufizuar. Kjo ndodhë kur ka ballafaqime që marrin karakter edhe personal, sikundër që ngjanë kur ballafaqohen dy ide. Ka shumë raste të tilla, që debati zgjatë në momentin kur unë po transmetoj kronikat e rajonit e botës, e që vazhdon edhe më tutje.
Sa herë e keni ndjerë veten të censuruar dhe si keni vepruar në ato momente?
Nuk e kam ndjerë vetën të censuruar. Info Magazine është zonë e lirë e mendimit dhe ballafaqimit të ideve. Nëse do censurohesha, nuk do të isha këtu.
A e keni ‘shkelur’ ndonjëherë etikën gazetareske?
Them se jo. Ka emisione më të mira, ka emisione më pak të mira. Por etika nuk shkelet. Është kontraproduktive. Shikuesi nuk fal raste të tilla dhe unë e respektoj në maksimum atë.
Në ç’mënyrë, Ju, si gazetar e moderator, i konsideroni mediumet?
Nuk jam i kënaqur me formën si funksionojnë mediet në Kosovë, ndonëse nëse nisemi me një realitet mediet në Kosovë funksionojnë shumë më mirë sesa ato në vendet në rajon. Gjithnjë ka tentativa që pushteti të kontrolloj mediet, në njërën anë ose në tjetrën. Nuk jam i kënaqur as me rezistencën që i bëhet benefiteve pushtetare, ashtu sikundër që nuk jam as i kënaqur nga jo-kolegjialiteti gazetaresk. Por në fund të fundit, edhe media ashtu si dhe politika apo biznesi, janë pasqyrim i një gjendje të përgjithshme shoqërore. Ajo gjendje është shumë apatike dhe problematike. Detyra jonë si gazetarë është ta denoncojmë atë. Këtë duhet ta bëjmë më shumë.

11921623_10206797784799088_4459668840047508525_n

A ndiheni i mbrojtur si gazetar?
Për sa i takon ligjit po. Kjo ma mundëson ta bëjë punën. Por shpesh herë gazetarët apo kolegët kërcënohen e sulmohen, e përgjegjësit nuk përfundojnë prapa grilave, gjë që është krejtësisht e padrejtë. Pra është faj i drejtësisë, sistem që çalon në vend.
Kur jemi tek e drejta e publikimit, kjo prodhon shpesh herë edhe kontra efekt. Kjo për arsye se askush nuk jep përgjegjësi edhe për gënjeshtrat, shpifjet dhe spekulimet, shpesh herë në bazë personale që po plasohen kohëve të fundit. Sidomos pas daljes në skenë të portaleve, jo të gjithave. Ato janë shndërruar në platforma shantazhuese. Kjo për mua paraqet shqetësim serioz.
Mendoni se ekziston mendimi i lirë tek ne dhe e drejta e të shprehurit të sinqertë tek intelektualët?
Liria është një koncept relativ. Varet kush si e kupton këtë. Kur pushteti tenton të kontrollojë medien, kur personat e dyshimtë bëhen pronarë të shtëpive mediatike, kur gjendja ekonomike i bën të varur shumë intelektualë nga ndonjë pozitë dhe kur drejtësia nuk i ndëshkon keqbërësit, atëherë them se në përgjithësi në Kosovë liria e shprehjes është në mbytje e sipër.
Por ka edhe intelektualë të sinqertë, shoh gjenerata të reja të cilat luftojnë gjithë kohës me paragjykime dhe stereotipa.
Cili prej personaliteteve të njohura të kohës nuk i është përgjigjur ftesës suaj dhe pse?
Albin Kurti nuk ka ardhur në studio. Ftesa vazhdon të jetë e hapur për të. Nuk i është përgjigjur ndonjëherë ftesës, ndonëse shpesh herë i kam bë thirrje. Në një moment ekipi i Vetëvendosjes ka pasur dëshirë ta realizoj një intervistë me Kurtin diku në zyrat e Vetëvendosjes. Të them të drejtën pa ndonjë arsyetim normal përse do të bëhej intervista jashtë studios, andaj edhe e refuzova.
Kur kanë mundur të gjithë të vijnë në studio, besoj se edhe Albin Kurti do të mundë ta bënte pa ndonjë telashe të madhe. Andaj edhe e refuzova intervistën me ata. Por sidoqoftë, mendoj se de-fakto lideri i Vetëvendosjes është një personalitet interesant për ta intervistuar. Për të tashmen, të kaluarën e tij por edhe për bagazhin intelektual që e ka, e që unë e respektoj shumë.
Cili është libri, filmi, këngëtari, artisti juaj më i preferuar?
Kjo është pjesa që ma bënë jetën më të lehtë. Është paksa e vështirë të ndahet libri më i preferuar. Po e veçoj Albert Camus, “I huaji”, një kryevepër e këtij shkrimtari dhe filozofi të madh. Do e vendosja edhe Hermann Hessen dhe librin e tij “Ujkun e Stepës”, James Joyce “Të mërguarit”.
Muzika është edhe më e vëshirë të ndahet. Inspirimi për rock n roll më ka ardhur herët, nga ato që njiheshin dikur si pop metal bende. Kryesisht nga Neë Jersey, Bon Jovi apo Skid Row. Me pastaj erdhi Bruce Springsteen, si inspirim që ishte. Më vonë eksplorova gjithçka nga muzika. Kur do veçoja tashti që ka kaluar goxha kohë do thosha Pink Floyd, Leonard Cohen, David Bowie dhe Led Zeppelin.
Te aktorët do përmendja Robert De Niro, Meryl Strip dhe Christian Slater.

Jeni marrë me muzikë, jeni adhuruesi i rockut. Çfarë vendi zë kjo sot tek ju?
Ky është identiteti im. Paralelisht me profesionin kam shpenzuar shumë kohë në muzikë. Është diçka që më ka rrethuar nga fëmijëria dhe vazhdon edhe më tutje. Dikur e kisha edhe një bend me miq, dhe të them të drejtën ende më pëlqen të këndoj, ndonëse kitara më ka mbet diku në ndonjë sirtar. Gjithsesi është pjesë e pandashme e imja. Mundohem ta kompensoj me pjesëmarrje nëpër koncerte, qofshin ato edhe më larg.
Parvjet isha tek Leonard Cohen në Montreoux, sivjet po shpresoj ta shoh Pink Floyt dhe Whitesnake për herë të dytë. Më vjen keq që këso organizimesh nuk ka në Prishtinë. Nuk e di ku qëndron arsyeja.
A jeni lodhur nga kjo punë? Mbase mendoni për ndonjë emision tjetër?
Jo, përkundrazi. Ndihem ende ambicioz dhe kam shumë për të dhënë. Nëse do të lodhesha do e lija këtë punë.
Sa hapësirë i rezervoni jetës tuaj personale?
Jo aq sa duhet, ngase kur je në këtë profesion e humbet jetën personale. Dua të jem më shumë me familje. Më shumë me njerëzit që i dua.
Pesë vjet nuk janë aq shumë, por as pak. Ku e shihni vetën në të ardhmen? Do t’i mbeteni besnik ekranit?
Pesë vjet janë në Info Magazine, shtatë në Klan Kosova. Ndihem i kënaqur me emisionin të cilin e drejtoj. Mendoj se kam shumë për të dhënë edhe më tutje. Planet janë t’i mbes besnik ekranit, se kam ndërmend të ndryshoj profesion.
Meqë jeni gazetar, cila do të ishte pyetja juaj, po të realizohet një autointërvistë?
A jeni i lumtur?
/Telegrafi/